Nje media me pak? Po, nje ze me pak per demokracine

Nga Afrim Krasniqi.

Mbyllet edhe nje gazete? Nuk ka dileme: ky eshte nje lajm i keq per median, informacionin dhe vlerat plurale te demokracise! Portale online kane paralajmeruar mbylljen e gazetes “Shqip”. Behet fjale per nje gazete te perditshme dhe prej vitesh ne treg. Mund te mbetet online, mund te kthehet ne botim javor, por me siguri, nuk do te jete botim ditor siç edhe ka qene prej krijimit. Nuk kam qene asnjehere pjese e saj direkt, por kam qene lexues i saj, si e çdo gazete tjeter kombetare. Nuk behet fjale vetem per disa dhjetera punonjes qe dolen te papune dhe duhet te kerkojne mbijetese ne nje treg eksperimental ku nuk ka vlere kualifikimi, aftesia, merita dhe as kontrata, por per diçka me te madhe: nje media e shkruar mbyllet.

Pergjate 2015 u mbyllen disa media te tjera. Nje kanal televiziv me perkatesi biznesin Italian u mbyll dhe mbyllja u festua nga ata qe na drejtojne duke e konsideruar sukses historik. Sepse ata nuk donin pronarin. Shteti, Ministria e Financave mori drejtimin disa mujor te kesaj medie, duke aplikuar nje praktike antikushtetuese: vijoi punen pa paguar rroga dhe as siguracione. Disa qindra punonjes mbeten pa pune, humben kontratat, siguracionet dhe arkivin e punes se tyre. Nje tjeter media televizive u mbyll (Planet TV) dhe askush nuk u shqetesua per fatin e disa dhjetera punonjesve, perfshire gazetare te njohur.

Gjate 2015 u mbyll edhe nje kanal tjeter televiziv, me pronar nje politikan te njohur, si dhe u reduktua ndjeshem botimi i gazetave kombetare e lokale ne shtypin e shkruar. Nga ana tjeter jane hapur disa media te reja online, shume atraktive, por me nje risk permanent: duke qene online ne produkt e arkiv rrezikojne qe ne çdo moment te zhduken online dhe se jane media simbolike, jo permbajtjesore.

Mbyllja e disa mediave gjate 2015-2016 apo e rreth 12 titujve gjate dekades se fundit nuk eshte lajmi i vetem i keq per gjendjen e medias ne vend. Vete media funksionon me shume si aneks biznesi sesa si media. Ndaj fati i saj, mbijetesa e saj, mbetet e lidhur me fatin e biznesit dhe mbeshtetjes politike. Nje pjese tjeter e medias vijon te kete probleme financiare te medha, ka probleme me pagesat, me kontratat, me siguracionet, sic edhe televizioni kombetar vijon te mbetet edhe me tej ne krize drejtimi dhe pa shikueshmeri, me gjithe parate qe na i merr rregullisht. Kufizimet ne media nuk jane vetem administrative dhe numerike, por edhe permbajtjesore: ka rritje te tendences se censures, ka me shume lobing politik sesa lajme mediatike, ka presion per te larguar ose kufizuar kritikat dhe per te promovuar lajmet reklame politike, dhe ka tendence qe axhenda e mediave te jete shtojce e axhendave partiake.

Kur me 1991 nje delegacion i National Democratic Institute erdhi ne Tirane, vizita e tyre e pare ishte tek kioskat e gazetave per te pare titujt dhe perkatesine e gazetave. Kishte disa tituj, por shumica ishin direkt apo indirekt produkt politik e financim i PPSh. Gazeta e pare pluraliste ishte gazete partie, gazeta e dyte po ashtu gazete partie, dhe ne teresi, gazetat me te lexuara ishin gazetat e partive majtas e djathtas. “Pluralizmi juaj ka shkuar vetem tek elitat“ – thane ata, – “ai nuk ka shkuar tek qytetaret, nuk reflektohet ne shoqeri dhe pa informacionin e vertete dhe te shumellojshem mbetet fasade dhe pa burime e garanci se do te mund te prodhoje nje demokraci te vertete e funksionale“. Atehere nuk i kuptuam, pas 25 vitesh po kujtojme se ata kane pasur te drejte.