Njeriu tek Stilistja Fevzije Çamer – Nga Dr. Laurant Bica

 

*Shkruar nga Laurent Bica

Sigurisht të flasësh zonjën Fevzije Çamer që më tepër njihet si personalitet i Modës nuk është kollaj. Por unë po flas vetëm për disa tipare të saj, për figurën e saj si njeri, si grua, si nënë, si familjare e mirë, për cilësitë e saj.

Është nga ato gra që i takon rrallë në jetë dhe që nuk hapen lehtë me çdo njeri. Po të kesh mundësi të ulesh me të, të bisedosh me të, të këmbesh mendime me të do të shohësh se kë të bësh me një grua të thjeshtë, të rrahur me  jetën, që i njeh njerëzit, i njeh mirë ata di dhe si të sillet me ta. Pas mbarimit të shkollës së mesme profesionale dhe konservatorit zonja Çamer hyri në jetën e punës. Njëkohësisht ajo u martua dhe pati një djalë për të cilin u kujdes gjithë jetën me përkushtim, natyrisht si çdo nënë. E rriti e shkolloi dhe studimet e larta i mbaroi në Amerikë. Unë kam pasur rast ta njoh dhe mund të them që dhe ai është gatuar me një varg virtytesh të trashëguara, të përcjella dhe të edukua nga e ëma. Djali mbaroi studimet e larta me rezultate shumë të mira dhe aktualisht ka hyrë në jetën e punës dhe ka krijuar familjen e vet. Ndërsa zonja Fevzije sot e gjithë ditën mbetet një nënë e mirë.

Një tipar tjetër i saj është thjeshtësia. Ajo ka të bëjë me njerëzit e elitës turke, vetë është shndërruar në një pjesë të kësaj bote, që jep e merr me të, por ajo di të komunikojë me këdo, pa paragjykime e pavarësisht shkallës pasurore. Ajo komunikon lirisht e me kënaqësi me bashkatdhetarët e vet shqiptarë, qofshin këta të Stambollit, të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e ngado që të jenë dhe kur ka mundësi u gjendet pranë, i ndihmon me çfarë mundet.

Korrektësia, punktualiteti. Ajo është tepër korrekte në takime. Me të njeriu duhet të jetë shumë i saktë. Jeta e ka mësuar të shfrytëzojë, minutën, sekondën dhe të mos humbasë asnjë grimë kohë kot.

Është njeri shpirtmirë dhe në bonsens pra ku t’i ndihmojë ata që duan diçka prej saj. Unë kam dëgjuar nga të tjerët, plus di dhe nga përvoja ime e takimeve me të se ajo u është gjendur në hallet e tyre jo vetëm të afërmve, të vëllait, të motrës, farefisit që ka në Shqipëri apo thjesht dhe njerëzve me të cilët s’ka të bëjë po që i drejtohen asaj për njërën apo tjetrën arsye.

Është  njeri i dhimbsur dhe fati apo jeta ia ka sjellë të përballojë “derte të mëdha”, sfida të jetës e të sëmundjeve të të afërmve, të cilat i ka përballuar me kurajë e zotësi qoftë materialisht qoftë shpirtërisht, duke bërë “të madhin”, mbrojtësin e njerëzve “të vet” duke u dhënë zgjidhje problemeve shpesh të rënda që jeta i ka nxjerrë asaj apo të tjerëve përpara.

Më kujtohet se kur shkoja në apartamentin e saj në Maçka, në një lagje të pasur të Stambollit, e vjetër që nga koha e Bizantit, pa hyrë mirë në derë vishnim mbi këpucët tona disa si papuçe prej cellofoni me të cilat qarkullonim nëpër shtëpi për të mos e bërë pis. Gjithashtu të binte në sy çdo gjë ishte në vendin e vet. Të dukej se ishe jo në një shtëpi të zakonshme, por në një ekspozitë.

Më 1994, 1995 dhe 1996, kur kam qenë më shpesh në shtëpinë e saj kam parë se kish nëpër rafte e dollapë “plaketat” apo dekoratat që kishte marrë në sfilatat e modës në Turqi në vite të ndryshme. Ishin rreth 60 copë. Sot numri i tyre ka kaluar 100 copë dhe vazhdon të rritet.

Është interesante se ajo është edhe një njeri shpirtmirë. Ndihmon dhe stilistët e rinj të modës, kolegët sidomos ata në moshë me të re se ajo që duam të përfitojmë prej saj, pa u kursyer me dashamirësinë e korrektësinë më të madhe.

Më tregonte i nipi Eri Çamer (Veliu), i cili për një kohë ka punuar në emigracion, është një poliglot me 11 gjuhë, edhe tani pronar një firmë ndërtimi në Vlorë dhe i një hoteli që e ka ndihmuar po vetë. Zonja Çamer në sfilatën e bërë në Shqipëri tani në nëntor menjëherë krijoi një dialog të mirë me stilistët e modës nga Shqipëria. Ai më tregoi fotografinë me një stiliste të talentuar si Jona Muçaj. Po ashtu edhe me stilistin e ftuar në Javën e Modës Shqiptare nga Anglia, zotin Çarl Svingolom një figurë e njohur e modës dhe shumë familjare në Fashion TV.

Fevzije Hanëm, siç i thonë turqit është një zonjë e rëndësishme, që manifeston një zonjëllëk të saj me sjelljet e saj fisnike, me qëndrimin e saj moral, me komunikimin e saj njerëzor e të afërt, me zgjuarsinë e mençurinë e saj, me manierat e qëndrimet e saj që janë shprehje e një tradite të lashtë shtëpiake e shqiptare .

Njeriu kur kontakton me të, nuk mund të mos njohë respekt për këtë grua të nderuar. Ajo është një njeri me zemër të madhe, ajo di të marrë pjesë në gëzimet e të tjerëve ashtu sikurse di të mbartë edhe shqetësimet, hallet, derdet e tyre, të mbajë peshën e një sëmundjeje kur ajo është nga ato që ne i quajmë “të rënda”.

Një natyrë e fortë, me iniciativë dhe e guximshme ashtu sikur duhet di dhe të sakrifikojë për të afërmit, për njerëzit e punës, për klientët e saj e të gjithë ata që e lidh jeta dhe puna e saj.

Zonja Fevzije do të komunikojë në tre gjuhë. Dy janë gjuhët amtare turqishtja dhe shqipja në dialektin çam që e ka marrë me qumështin e nënës si dhe frëngjishtja që e ka mësuar gjatë viteve të qëndrimit të saj në Francë.

Një biznesmene e njohur- Filantrope
Zonja Fevzije duke hyrë në një sferë siç është moda dhe duke mbërritur në majat më të larta të saj nuk mund të bënte përpara në një sferë të tillë kaq të kushtueshme pa qenë një biznesmene e mirë. Po ç’do të
thotë për një grua të shquar në një vend si Turqia të jesh dhe afariste!

Për të treguar zotësinë e aftësinë e saj në këtë fushë, pa dashur të zgjatemi, mjafton të them se ajo ka qenë për një kohë relativisht të gjatë presidente e “Lions Club”. Është një klub i biznesmenëve, afaristëve të shquar, të pasur në rang ndërkombëtar.

Ajo ka ditur të jetë një personalitet me peshë dhe në sferën ekonomike.

Zonja Fevzije është një njeri që në një botë ku ligjin e bën paraja, ka ditur të punojë, veprojë me zgjuarsi dhe di si fitohet paraja, si përdoret ajo në mënyrë të suksesshme me nikoqirllëk në shitblerjet, si të sillet me klientët, si të manovrojë në situatat e vështira në treg dhe të dalë prej tyre, me sa më pak humbje.

Zonja Çamer di të drejtojë biznesin e vet e do të menaxhojë punëtorët, më saktë ekipin e vet, artistë, mjeshtër të të qepurit si ajo. Ajo është shquar gjithmonë për cilësi të lartë të punës së saj
konkurruese në tregun e modës e në përgjithësi dhe ka mundur të çajë në këtë treg.

Emri i saj edhe në shtyp është përmendur e përmendet si një ndër biznesmenet e suksesshme krahas asaj që çmohet e vlerësohet si një nga majat e arritjeve në modë, si një nga stilistet më të shquara në këtë vend. Është një tregues për një afariste që punon në një sferë ku ndërthuren biznesi, moda, arti, menaxhimi.

Pra në një sferë elitare, ka të bëjë me sferat më të larta të biznesit turk. Duhet të përmend se zonja Çamer është një biznesmene shumë e zonja dhe e rreptë si menaxhere. Duke qenë një biznesmene e mirë që di të menaxhojë si duhet paranë e fituar zonja Çamer është dhe një filantrope e madhe.

Me paratë që mori nga një sfilatë mode në një rast, ku i shiti të 60 kostumet e saj, sponsorizoi ngritjen e një kati në spitalin ku kuroheshin fëmijët me leuçemi. Ai kat spitali ka akoma dhe sot ka emrin e zonjës Fevzije Çamer.

Rasti i dytë ka të bëjë me fushën e arsimit dhe të kulturës. Vetë zonja Fevzije shumë kohë para se të krijohej një universitet i ri në rajonin e Fëndekzades në Stamboll më ka folur për projektin e tij, ku
ajo kishte një pjesë të mirë të financimit si bamirëse, për këtë universitet privat siç ndodhi në të vërtetë. Më pas në krijimin e tij e më pas në ceremoni të tjera solemne ka qenë ftuar kryekonsulli i kohës Alkyz Cerga, miku im i nderuar.

Zonja Çamer vazhdimisht në krejt veprimtarinë e saj gjysmëshekullore ka dhënë donacione dhe ka zhvilluar një aktivitet të gjerë bamirësie, duke dëshmuar me vepra filantropinë dhe shpirtin altruist të saj.

Zonja Çamer është një nga ato gra apo femra të emancipuara në shoqërinë turke, e cila ka qenë gjithmonë në krye, në pararoje të çdo procesi. Nuk është e rastit që në shtypin turk të këtyre 50 vjetëve të fundit emri i saj nuk është hequr nga faqet e gazetave, revistave dhe jo vetëm të specializuara por në përgjithësi janë me dhjetëra artikuj e fotografi të saj, pa folur për median e folur radiotelevizive, për emisionet e posaçme që i janë kushtuar të famshmes stiliste turke Çamer.

Nuk kanë munguar dhe artikujt për të jashtë Turqisë në botë, sidomos në shtypin e specializuar të modës që vënë në dukje aftësitë e saj. Një artikull për të në gazetën “Çamëria” e kam botuar unë në gati dy faqe gazetës në vitin 1995. Artikuj për të janë shkruar dhe në shtypin kosovar.

I jemi borxhli në një kuptim kësaj zonje të madhe të nderuar që ka një emër në botë dhe për të është e nevojshme të shkruhet një libër apo të bëhet ndoshta një film dokument televiziv. Në fakt kjo duhet të ishte bërë me kohë. Por më mirë vonë se kurrë…

Më 14 shtator 2008 ajo shenjoi me Ardhjen në Shqipëri  realizimin e një ëndrre të vjetër të saj për një sfilatë mode me veshjet e saj, si modeliste për sezonin e beharit.

Këtë ajo e realizoi nga 7-14 nëntor 2008 në Javën Shqiptare të Modës, ku ajo u paraqit e para njëkohësisht në mbyllje të këtij aktiviteti, ajo performoi në mënyrë të veçantë veç të tjerëve edhe njëherë me sfilatën e saj me 60 veshjet e përgatitura nga duart e saj. Asnjë stiliste tjetër nuk kishte aq shumë veshje sa ajo. E shumta mund të kishin deri në 20. Kurse zonja Fevzie kishte trefishin e tyre pa folur për cilësinë e stilizimet e tyre.

Më vjen mirë që e fillon përformimin e saj nga vendi amë, Shqipëria për të vazhduar më pas në Kosovë. Mbase sfilata tjetër vijon në Çamëri, në Janinë apo në qytete të tjera të saj si në Filat, Gumenicë, Prevezë, Kostur apo Follorinë…

Me ardhjen e saj në Shqipëri shkruajtën një sërë gazetash për të si “Gazeta Shqiptare”, me intervistë të zgjeruar, apo gazetat e tjera dhanë lajme të ndryshme për të. Gjithashtu një sërë televizionesh duke filluar nga TVSH e një varg televizionesh private dhanë njoftime të gjera për javën e modës shqiptare sikurse bënë dhe emisione të posaçme për zonjën Fevzije Çamer si televizioni “Alsat”, News 24″. Çdo vit
është shkruar vazhdimisht për të dhe vendin e saj në botën e modës…

Veç kësaj ruaj dhe shumë kujtime nga takimet e mia personale me këto personalitete të nderuar, por preferoj të shkruaj fare kalimthi. Dua të theksoj që vendi i zonjës Fevzije brenda shqiptarëve të Stambollit është një vend i respektuar. Dhe nuk është ajo që thjesht kërkon të jetë në aktivitetet e tyre, por ata e ndjejnë veten të nderuar kur e kanë atë midis tyre. Ata krenohen me të. Të tilla kanë qenë dhe janë raportet e saj me konsullatën shqiptare në Stamboll. Të tilla kanë qenë dhe me Përfaqësinë e Kosovës të kryesuar nga zoti Enver Tali dhe Nevruz Çarkaxhiu për atë dekadë sa ekzistoi ajo nga 1994-2003.

Ajo ka qenë e ftuar në tërë, pritjet për festën kombëtare, të 28 Nëntorit pavarësisht se sa ka mundur të vinte, ka qenë në eventet që janë realizuar qoftë nga përfaqësitë diplomatike shqiptare qoftë nga shoqata turko-shqiptare e Stambollit. Zonja Fevzije ka pasur raporte të ngushta me kryekonsullin Orhan Zarshati e gruan e tij Tefta, të cilëve u është gjendur pranë në ditë të mira e të vështira si dhe konsulleshën shqiptare Bejtulla Sali Ballati e ndonjë tjetër.

Nga shoqata turko shqiptare ka pasur lidhje e kontakte me anëtarët e kryesisë si kryetarin e saj Halil Metin, sekretarin Qamil Bitish si dhe me zotin Mitat Ademogllu e ndonjë tjetër, për arsye të ndryshme.

Të gjithë ruajnë respektin nga kontaktet me të. Ajo vazhdimisht u ka ardhur në ndihmë shqiptarëve që i janë drejtuar asaj pa u kursyer. Edhe shkruesi i këtyre radhëve ruan kujtimet më të mira nga takimet me të, ka qenë mik i shtëpisë së saj, ka gëzuar besimin e saj. Është pritur e qitur siç thuhet, si mysafir i asaj shtëpie të madhe, ka fjetur aty, ka shkuar vizitë në të me djalin e tij Miran Bica, me shqiptarë të Kosovës e Çamërisë si çamin e Turqisë Habib Çagllajan dhe të Shqipërisë zotin Arben Zeneli e shumë miq të tjerë.

Nuk do të lë pa përmendur fjalët që më ka thënë një badigard (roje personale) i zonjës Çamer. “Je nga të rrallët në mos i vetmi që bisedon me të pa praninë time”. Më vjen mirë që kam gëzuar këtë besim të saj.

Para se të largohesha nga Turqia vajta në një takim lamtumire për vizitë në shtëpinë e saj. “Mos u largo nga Turqia, më tha. Do të kesh mbështetjen time për çdo gjë. T’i ke kokë shqiptare, je shqiptar i vërtetë”. Por vendimi për kthim qe marrë. Me të marrë vesh që kishte ardhur në javën e modës shkova e takova që ditën e parë në hotel “Sheraton”, dhe më pas u takuam 2-3 herë në prani dhe të nipit të saj Eridan Çamer nga Vlora dhe mbesës së saj nga Turqia, gocës së të vëllait Ahmetit. Në një nga këto takime ishte dhe një stiliste shqiptare që jetonte në Kiev nga fshatrat shqiptare të Ukrainës. Kujtuam të kaluarën dhe folëm për planet e zonjës Çamer për sfilatat e reja në Shqipëri…

Ardhja premier e zonjës Fevzije Çamer në Shqipëri më gëzoi. Një gaz i veçantë ishte kjo edhe për komunitetin Çam në Shqipëri. Ajo u paraqit denjësisht kudo si midis njerëzve ashtu dhe në stacionet televizive që e intervistuan. Foli me atë çamërishten e saj.

Për këtë zonjë tani sa e kemi gjallë duhet të shkruhet një libër, të jepet jetëshkrimi i saj i pasur, tepër i pasur, të bëhet një album me fotografi nga jeta e saj dhe me sfilatat e saj të modës si dhe dekorimet e saj. Ta njohin konkretisht shqiptarët se kush është Fevzije Çamer, motra e tyre e madhe dhe e nderuar në botë.

Ishte ajo që në mes të viteve ‘90 të shekullit të kaluar, veshi një modeliste zviceranë me rroba të stilizuara popullore shqiptare dhe fitoi çmimin e parë në botë në Paris në festivalin mbarëkombëtar të modës.

Së treti duhet të bëhet një film televiziv nga televizioni publik shtetëror apo dhe ato private, ku të pasqyrohet jeta e saj në botën e madhe të modës.

Së katërti, dikush duhet të mbledhë me durim kujtimet e saj tani sa e kemi të gjallë midis nesh. Koha bën punën e saj.

Së pesti, stilistë të modës mund të atashohen pranë saj. Mund të stilojnë për shkollim, studime të larta dhe të bëjnë specializim në atelien e zonjës Fevzije. Këto mund të dërgohen nga qeveria, komuniteti çam apo nga shkollat turke në Shqipëri me bursë për të thithur përvojën e saj të madhe gjysmë shekullore.

Së gjashti, dega e tekstilit në inxhinieri pranë universitetit të Tiranës mund të vendosë lidhje të ngushta me z. Fevzije Çamer që nga ana profesionale mund të jenë me dobi sidomos për këtë degë e për thellimin e lidhjeve të bashkëpunimit me simotrat analoge në Turqi. Vetë zonja Çamer mund të ndihmojë së tepërmi me lidhjet e shumta që ajo ka.

Nga bisedat e fundit që bëra me të, mësova se ajo dëshiron të çelë një shkollë mode në Shqipëri që ta drejtojë vetë. Shpresoj  se mund ta shoh të realizuar së shpejti. Do të ishte një fat për stiliste të reja të ardhshme të modës nga Shqipëria…

Dhe së fundi do të thosha që ka ardhur koha që kjo përfaqësuese e denjë e komunitetit shqiptar disamilionësh të Turqisë të dekorohet nga shteti shqiptar. Të vlerësohet si një figurë që e nderon Shqipërinë e shqiptarët në botë.

Institucioni i Presidentit të Shqipërisë siç çmoi Xhim Belushin si aktor të madh me origjinë shqiptare në Amerikë apo të tjerë këngëtarë e artistë shqiptarë në botë, nuk ka pse të mos nderojë dhe një stiliste mode siç është Fevzije Çamer që është një figurë e madhe e Çamërisë nga shekujt e deri sot në komunitetin çam emigrues.

Faleminderit zonja Fevzije. “Çok teshekyr ederim, Fevzije Hanëm”.