Njoftim për shtyp: Çfarë sigurie na jep sistemi bankar sot?

 

Konfindustria shpreh shqetësimin për numrin e lartë dhe në rritje të dukshme të akteve kriminale të grabitjeve ndaj bankave dhe transportit të mjeteve monetare në vend. Shqetësimi bëhet edhe më i thellë, kur vlerëson mungesën e plotë të përgjegjshmërisë dhe mosveprimin e një numri të tërë të institucioneve liçensuese shtetërore dhe vetë sistemit bankar, në marrjen e masave të sigurisë parandaluese në kushtet e grabitjeve të njëpasnjëshme.

Konfindustria vlerëson, se shtimi i dukshëm i rasteve të grabitjeve të bankave përveç dëmit financiar dhe garancisë për depozitat e qytetarëve shqiptarë, njëkohësisht është goditje e pastër në sigurinë e të bërit biznes në përgjithësi në vend me pasoja dëmesh të mëdha ekonomike shumëpërmasore. Sa më sipër është e qartë, nëse vlerësojmë, se nga grabitjet në shtim të bankave, duke filluar me rastin e shëmtuar në thesarin e Bankës së Shqipërisë, kemi prekje të drejtpërdrejtë të fuqisë konkuruese të Shqipërisë në tërheqjen e investimeve të huaja edhe kështu në nivel mjaft të ulët.

Konfindustria i kërkon Bankës së Shqipërisë, si institucioni përgegjës vëzhgues dhe rregullator bankar, që përpara se të merret me politika makro të padobishme në pjesën dërrmuese të tyre, të marri sa më shpejt masat dhe kontrollet e nevojshme për të kërkuar arritjen e domosdoshme në standardet e sigurisë të parave të shqiptarëve si detyra parësore e përligjjes historike të krijimit të sistemit bankar, duke filluar nga vetja e saj. Është e domosdoshme, që standardet e domosdoshme të sigurisë së bankave dhe investimet përkatëse të jenë kusht parësor në liçensimin e tyre dhe në vazhdimësi.