Pas Hilton vjen në Tiranë gjiganti i hotelerisë Marriott

Marriott mbërrin zyrtarisht në Shqipëri. As një vit nga ikja e Sheraton nga Tirana, Marriott, rrjeti i hoteleve që ka blerë në fakt rrjetin e Sheraton në botë pak vite më parë, vjen në Shqipëri.

Në një ceremoni private, pasditen e së martës është nënshkruar marrëveshja mes përfaqësuesit të Marriott për rajonin e Ballkanit dhe përfaqësuesit të kompanisë Alb Star.

Hoteli do të jetë pjesë e kullës së stadiumit Qemal Stafa, i cili po rindërtohet. Burime nga industria e turizmit nuk bëjnë të ditur detaje për vlerën e blerjes apo kur do të mund të jetë funksionale “Marriott” në Tiranë. Por sigurisht, faza e parë është përfundimi i ndërtimit dhe punimeve të përshtatshme për hotel. Kujtojmë se ndërtimi i Hilton Garden Inn nga nënshkrimi i marrëveshjes deri në hapje, mori një periudhë katër vjeçare.

Interesi i Marriott për Shqipërinë është theksuar që në fillim të këtij viti. Marriott, gjendet tashmë me një asxhotel të tij në Shkup të Maqedonisë.

Gjatë samitit të turizmit mbajtur në Tiranë këtë të martë, përfaqësuesi i Marriott tha se në tregun shqiptar mund të kemi dy-tre formate hotelesh. Ditët me diell dhe natyra e bukur janë një potencial i madh që duhen shoqëruar edhe me infrastrukturën e duhur, tha ai. Pyetjes së zhvilluesve të Real Estate për investimet e mundshme në Rivierë, ai tha se përveç Tiranës dhe Durrësit sheh të paktën edhe mundësinë e ndërtimit të dy resorteve në 5-6 vitet e ardhshme, duke theksuar se Marriott nuk i mungon përvoja në këtë drejtim, pasi menaxhon resorte në zona të ngjashme si Kroaci dhe Spanjë.