Përjetoni çdo moment me Samsung Galaxy S9

 

Samsung Galaxy u prezantua fillimisht thuajse 9 vite më parë dhe ishte përgjigjia e Samsung ndaj Apple, i cili kishte pak kohë që kishte prezantuar iPhone. Në Shkurt të këtij viti, Samsung erdhi me Galaxy S9 dhe S9+.

Ne patëm mundësinë të përdornim për pak ditë një Galaxy S9 dhe të mësonim më shumë rreth tij.

Samsung Galaxy S9 është shumë i ngjashëm me serinë e mëparshme të Galaxy, por me disa ndryshime të vogla. Samsung duket se ka arritur në fundin e dizajnit unik dhe nuk ka menduar se ka shumë vend për ndryshime. Ai është solid dhe shumë i këndshëm për t’u përdorur. Ekrani i harkuar shkrihet ëmbël me pjesën e pasme të aparatit, i cili ashtu si paraardhësi, është reflektuese.

Samsung ka qenë gjithmonë i njohur për ekranet shumë të mirë dhe as ky model nuk bën përjashtim. Ekrani Super AMOLED është 5.8 inç dhe ka një rezolucion prej 1440 x 2960. Aspect ratio prej 18.5:9 dhe një raport ekran-trup celulari prej 83.6%. Corning Gorilla Glass 5 e bën këtë ekran më rezistent ndaj goditjeve të ndryshme që mund të pësojë aparati.

Të 4 anët e ekranit e aparatit, janë shfrytëzuar për të vendosur diçka në të. Në pjesën e sipërme ndodhet vendi i kartës SIM dhe kartës së memories (microSD). Poshtë, ndodhet 1 nga 2 speaker, vendi i karikimit dhe porta e kufjeve. Ky smartphone është një nga zgjedhjet e vetme nëse ke qejf të ngelesh pak “old school”. Në anën e djathtë ndodhet butoni që ndez dhe fik ekranin. Kurse ana e majtë është paksa më e ngarkuar. Në të ndodhen dy taste, për dy veprime të ndryshme. I pari dhe më i madhi është tasti i uljes dhe ngritjes së zërit. Kurse i dyti, butoni i Bixby. Bixby është një “virtual assistant” i prodhuar nga Samsung. Për fat të mirë, Google Assistant është aty dhe dukshëm më superior se Bixby.

Përsa i përket performancës, Samsung Galaxy S9 është i pajisur me një proçesor Snapdragon 845, i cili e bën atë smartphone super të shpejtë. Madje provuam të instalonim 3 lojra goxha “të rënda” dhe ndonëse të minimizuara në taskbar, sistemi vazhdonte të përgjigjej shumë shpejt. Nuk mjafton kjo? Instagram dhe Facebook gjithashtu. Rezultati? Duhet të pyesje veten dhe të shihje nëse i kishe lënë hapur me të vërtetë apo jo.

Samsung, ndryshe nga shumë kompani të tjera ka lënë hapësirë edhe për memorie shtesë. Ndonëse, Samsung Galaxy S9 vjen me 3 opsione, 64GB, 128GB dhe 256GB. Nëse kemi një kartë microSD deri në 400GB, atëherë shumë të lumtur mund ta përdorim me të. S9 ka RAM prej 4GB ndërkohë S9+ prej 6GB (përveç edhe të tjerave).

E një nga pikat më të forta të smartphone sot, është kamera. Dikur një luks, sot ato janë një pjesë e pandarë e jona. Ato janë përmirësuar aq shumë madje, saqë shpesh nuk na duhet të mbajmë një aparat fotografik me vete. Rasti konkret, pak ditë më parë na u desh të ndiqnim një event dhe ky Samsung Galaxy S9 ishte githçka na duhej. Një kamera e mirë për foto. Google Keep ose Samsung Notes për të mbajtur shënimet. Dhe Audio Recorder (po, shumë emër cliché) për të regjistruar intervistat.

Kamera e përparme ndërkohë është thuajse e njëjta 8 MP që gjendet edhe tek Galaxy S8.

Samsung gjithmonë ka qenë fans i përfshirjes në paketë të gjërave, që shpesh edhe nuk duhen. Por në fund të ditës janë pjesë e zhvillimit të kompanisë. I tillë është opsioni AR EMOJI. Duke hapur kamerën e parë mund të bëjmë një selfie dhe ta konvertojmë në EMOJI. Një opsion jo i ri ky, i lezetshëm, por shpesh jo tepër funksional për pjesën më të madhe të përdoruesve.

Por, një nga surprizat vjen tek video-t. S9 është i aftë të bëjë video Super Slow Motion në [email protected]. Ndonëse cilësia nuk është më e mira e mundshme, ajo përsëri është tepër impresionuese.

Vetëm pak durim dhe kreativitet duhet për të realizuar video fantastike me të.

Por nuk mbaron gjithçka me kaq. Samsung e ka pasuruar menunë e kameras edhe me disa opsione të tjera. Kështu ajo ka krijuar një opsion vetëm për fotografimin e ushqimit. Një opsion panorama, i cili tashmë ndodhet në çdo smartphone. Opsioni PRO, i cili ashtu siç edhe thotë emri, ka goxha peshë. Ky opsion na jep fuqinë e plotë mbi çdo element dhe na lejon të realizojmë foto të veçanta, ekzaktësisht ashtu si ne duam.

Më pas vjen edhe opsioni Selective Focus. Ne vendosim fokusin në një nga objektet dhe gjithë pjesa tjetër është një “blur” i pastër.

Opsioni i fundit është ai Hyperlapse. Ky opsion na jep mundësinë që të filmojmë video të tipit “time laps” pa nevojën e aplikacioneve të tjera. Samsung ka bërë një punë të mirë me aplikacionin e saj të kameras përsa i përket opsioneve. Smartphone tepër të mirë si psh. Nexus 6P, i cili është i pajisur me Google Camera, nuk t’i jep mundësitë në fjalë.

Samsung kështu me Galaxy S9 ka realizuar një paketë të bollshme për shumë përdorues. Ai madje është rezistent ndaj ujit kështu që nuk do na duhet më të shqetësohemi në çdo sekondë të ditës.

Performanca është ajo që duhet nga një smartphone i rangut të tillë. Kjo bashkuar me dizajnin e ëmbël krijon një eksperiencë, e cila ja vlen të flitet gjatë.

Galaxy S9 e meriton të quhet premium me plot kuptimin e fjalës.

Vlerësimi? Hmm, do thoja 8.75/10!