Përmirësim i Ndjeshëm në Cilësinë e Raportimit Financiar në Shqipëri

 

permiresim-i-ndjeshem-ne-cilesine-e-raportimit-financiar-ne-shqiperiAnketa kombëtare mbi “Rëndësinë e Raportimit Financiar në Shqipëri” ka nxjerrë të dhëna interesante rreth zhvillimit që ka pësuar cilësia e raportimit financiar në vend. Bazuar në rezultatet e kësaj ankete, 44% e të anketuarve pohuan se cilësia e raportimit financiar është përmirësuar krahasuar me 5 vite më parë. Maksim Caslli, Drejtues i Deloitte për Shqipërinë dhe Kosovën tregon në një intervistë për Business Magazine Albania se cilat janë zhvillimet kryesore në këtë drejtim, cilat janë avantazhet e shoqërive që hartojnë pasqyra financiare sipas standardeve të kontabilitetit dhe cilët janë sektorët me më shumë interes për t’u zhvilluar tani e në të ardhmen.

Pasqyrat financiare janë kyçe për vlerësimin në treg të një shoqërie. Çfarë po ndodh me shoqëritë në Shqipëri? Si është situata? Si ka ndryshuar ajo krahasuar me 5 vite më parë?

Cilësia e pasqyrave financiare të shoqërive shqiptare po vjen duke u përmirësuar nga dita në ditë.

permiresim-i-ndjeshem-ne-cilesine-e-raportimit-financiar-ne-shqiperi

Kjo bazuar edhe në rezultatet e anketës kombëtare mbi “Rëndësinë e Raportimit Financiar në Shqipëri”, zbatuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe financuar nga Banka Botërore (WB) dhe Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike (SECO), ku 44% e të anketuarve mendojnë që cilësia e raportimit financiar është përmirësuar krahasuar me 5 vite më parë. Ky përmirësim lidhet me:

1. maturitetin që vetë shoqëritë po pësojnë nga viti në vit
2. faktin që shoqëritë e kanë kuptuar që nuk kanë më arsye për të hartuar pasqyra financiare të duplikuara për palë të ndryshme interesi, pasi sistemi fiskal në Shqipëri është i favorshëm, duke patur një nivel të ulët të normës së tatimit, që ndikon edhe në uljen e informalitetit.

Shoqëritë shqiptare dalëngadalë po ndërgjegjësohen se më shumë humbasin sesa fitojnë nga informaliteti.

permiresim-i-ndjeshem-ne-cilesine-e-raportimit-financiar-ne-shqiperi

Kur themi se shoqëritë humbasin nënkuptojmë nëse do ketë informalitet, normalisht që edhe sistemi i brendshëm i funksionimit të shoqërive do krijojë hapësira për individë të caktuar për të abuzuar me fondet e shoqërive.

Shoqëritë shqiptare janë bërë më të vetëdijshme sepse transparenca në hartimin e pasqyrave financiare rrit mundësitë e tyre për kreditim nga bankat dhe institucionet financiare. Paraqitja e pasqyrave financiare jo transparente bëhet pengesë për financim nga institucionet financiare, pasi informacioni i paraqitur në këto pasqyra nuk është i besueshëm dhe nuk tregon gjendjen reale financiare të shoqërive.

Kjo vërtetohet edhe nga gjetjet e anketës, ku 55% e përdoruesve të pasqyrave financiare mendojnë se qartësia dhe transparenca në hartimin e pasqyrave financiare ndikon pozitivisht në kreditimin nga institucionet huadhënëse.

Banka Qendrore ka vite tashmë që ka ndërmarrë masa ndaj informalitetit, duke i detyruar bankat e nivelit të dytë të mos u japin kredi shoqërive që paraqesin pasqyra financiare jo të vërteta.

Kjo është një masë që në pamje të parë duket e fortë, por besoj që është diçka që ndikon pozitivisht në ekonomi. Pra, mund të ketë impakt negativ në momentin e parë në nivelin kredidhënës të ekonomisë, por ka impakt pozitiv afatgjatë.

Gjithashtu, në pesë vitet e fundit është vënë re se Standardet Kombëtare të Kontabilitetit (SKK) po u përafrohen gjithnjë e më tepër Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit (SNK) dhe Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF), duke ndikuar në rritjen e cilësisë së raportimit dhe unifikimin e tij. Duke iu referuar anketës, 38% e përdoruesve të pasqyrave financiare shprehen se hartimi i pasqyrave financiare sipas SNK/SNRF është një matje më e drejtë e pozitës dhe performancës financiare të shoqërive që operojnë në vend.

permiresim-i-ndjeshem-ne-cilesine-e-raportimit-financiar-ne-shqiperi

Aktualisht në vend po aplikohet një projekt për rritjen e ndërgjegjësimit të shoqërive në këtë drejtim. Cilat mendoni se janë sfidat kryesore në këtë drejtim? Çfarë sygjeroni në mënyrë që shoqëritë të përmirësojnë raportet e tyre financiare duke shkuar pranë reales?

Procesi i ndërgjegjësimit është një proces që nuk mbaron ndonjëherë, pasi kjo lidhet me zhvillimin që shoqëritë pësojnë në vazhdimësi, me zhvillimin e vetë stafit, por edhe me zhvillimin e mjedisit të të bërit biznes në Shqipëri.

Kështu, në një mjedis që është gjithmonë në zhvillim, shoqëritë duhet të përmirësohen dhe ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë për paraqitjen e vërtetë të pasqyrave financiare.

Në shoqëritë, të cilat i kanë fillesat e tyre në fillimin e viteve ’90 dhe vazhdojnë të operojnë edhe sot në tregun vendas, vihet re kalimi i pronësisë mes gjeneratash, e cila shoqërohet edhe me ndryshime në raportim. Kështu nëse në fillimin e viteve ’90, shoqëritë ishin kryesisht të vogla, ku pronari kryente çdo funksion brenda shoqërisë, me zhvillimin e ekonomisë situata ka ndryshuar. Shoqëritë janë zgjeruar dhe është krijuar një ndarje mes funksionit të drejtimit dhe menaxhimit, duke rritur kështu nevojën për më shumë raportim.

Duke qenë se baza kohore si edhe cilësia e raportimit kanë ndryshuar, atëherë shoqëritë kanë nevojë të përdorin sisteme më të sofistikuara financiare duke kaluar nga përgatitja manuale e pasqyrave financiare në automatizimin e procesit të raportimit. Nisur edhe nga përfundimet e anketës, 83% e të anketuarve konfirmojnë se aplikacionet informatike të raportimit lehtësojnë shumë procesin e përgatitjes së raporteve periodike të raportimit.

Kjo ndihmon edhe në përcaktimin e treguesve të performancës, në bazë të të cilave shoqëritë bëjnë vlerësimet mujore të ecurisë së shoqërisë.

Kështu që, besoj se ka ardhur në mënyrë të natyrshme, që shoqëritë shqiptare të investojnë edhe në fushën e sistemeve kompjuterike të raportimit financiar. Në këtë mënyrë, numri i të anketuarve që raportojnë në baza mujore tek menaxhimi i shoqërive ka pësuar rritje në 66% të të anketuarve.

permiresim-i-ndjeshem-ne-cilesine-e-raportimit-financiar-ne-shqiperi

Deloitte, mund të cilësohet si një barometër për matjen e ecurisë së biznesit, për shkak të specifikave tuaja të punës si konsulent. Çfarë mund të na thoni për sipërmarrjet në Shqipëri në tërësi? Cilat vijojnë të mbeten sfidat?

Sfidat në Shqipëri janë të shumta. Kuptohet që kemi të bëjmë me një treg të vogël, konsumi i të cilit ndikohet menjëherë nga situata politike në vend, duke influencuar drejtpërsëdrejti edhe shoqëritë që operojnë në vend. Aktiviteti i shoqërive që është i lidhur me eksportet ose shoqëri të tjera të huaja që operojnë jashtë Shqipërisë nuk ndikohet nga situata brenda vendit. Duke u nisur nga mjedisi i përgjithshëm në Shqipëri, si mjedisi politik, ekonomik, etj., vendi po ballafaqohet me një sfidë të re, e cila ka në thelb largimin nga vendi i burimeve njerëzore të kualifikuara, ata që kanë mundësi për ta zhvilluar këtë vend dhe që mund të sigurojnë të ardhura më të larta për buxhetin e shtetit. Prandaj, 53% e përgatitësve të pasqyrave financiare të anketuar janë përgjigjur se përmirësimi i raportimit financiar rrit mundësitë dhe aftësitë e shoqërive për të tërhequr dhe për të punësuar staf të talentuar.

Kjo e bën edhe më sfiduese zhvillimin e shoqërive shqiptare dhe ngritjen e tyre në një nivel më të lartë konkurues, në mënyrë që të operojnë denjësisht përkundrejt shoqërive të huaja gjermane, italiane, etj. Shoqëritë shqiptare duhet të jenë të përgatitura për këtë, duke qenë se aspirojnë të bëhen pjesë të BE-së, në mënyrë që të përfitojnë të dyja palët nga ky proces.

Cilët sektorë apo industri shikoni me perspektivë për investime? Ju keni përmendur më parë shpirtin nismëtar të shqiptarëve, por realisht ku po spikasim më shumë? Cilat janë fushat që do të sugjeronit ju, me perspektivë për zhvillimin e vendit?

Për mendimin tim, tre fushat që mund të jenë prioritare për vendin, në të cilat po shtohen investimet janë:

1) Turizmi
Në vitet e fundit duket sikur Shqipëria po kthehet në një atraksion të parapëlqyer për turistë të huaj, duke bërë që numri i tyre të rritet nga viti në vit. Por, a jemi ne gati për këtë fluks turistësh? Ndoshta jo. Pikërisht në këtë moment lind nevoja për investime në këtë sektor, të cilat relativisht janë investime afatgjata, pasi do të investosh në njësi shërbimi si p.sh: hotele, restorante, etj. Besoj se ndërtimi i këtyre njësive të shërbimit duhet të jetë edhe fokusi i sektorit të ndërtimit, në mënyrë që të mos ketë më nivel të lartë ndërtimesh të fokusuara në njësi banimi. Në mënyrë që këto investime të kenë kthim të lartë, duhet të k etë një koordinim ndërmjet investimeve private dhe investimeve publike.

2) Bujqësia
Në Shqipëri ndodh që gjysma e tokave bujqësore nuk punohen fare, ndërkohë që edhe pjesa tjetër nuk punohet në mënyrë të dobishme. Pra, të ardhurat që ne marrim për hektar janë relativisht të ulëta, gjë që tregon se kapaciteti i zhvillimit është i lartë. Edhe në këtë sektor duhet që të ketë një koordinim me strukturat publike shtetërore, pasi në të gjithë botën shteti luan një rol rregullator dhe nxitës investimesh në bujqësi nëpërmjet subvencioneve të ndryshme.

3) Shërbimet në përgjithësi, teknologjia në veçanti
Kjo është një fushë tjetër që duhet të ketë prioritet, pasi mendoj se do sjellë shumë zhvillim për tregun vendas, duke qenë se është një sektor që po synohet shumë nga të rinjtë shqiptarë.

permiresim-i-ndjeshem-ne-cilesine-e-raportimit-financiar-ne-shqiperi

Bazuar kjo edhe nga përfundimet e anketës, ku 27% e përgatitësve të pasqyrave financiare janë të përfshirë në këtë sektor, meqënëse kemi një zhvillim të teknologjive të reja.

Në këtë mënyrë aseti kryesor i vendit, pikërisht burimet njerëzore të kualifikuara, do të japin kontributin e tyre në Shqipëri, pasi ky është një sektor që të jep mundësinë të ofrosh shërbime direkte në të gjithë botën dhe të përfitosh të ardhura njësoj si shoqëritë që operojnë në tregun botëror.