Intervistë me znj. Diena Karanxha: “Piktura si emocion bashkues i familjes.”

 

*Artikull nga Andi Bica, Beti Kumi

Refleksion mbi ekspozitën e Ramadan, Dorian dhe Esiela Karanxhës në galerinë “Nikolet Vasia” në Durrës.

Nudot në grafikat e Dorian Karanxhës na shohin nga muret e Galerise “Nikolet Vasia” në Durrës. Atje në kthinën e një muri pranë portës është ndërtuar një kënd me punë të zgjedhura nga koha e studimeve në Romë. Madje një tjetër veçanti e ekspozitës në mjediset e Galerisë në formë korridori të stërgjatë është edhe koleksioni i një të riu pasionant Visit, i cili solli ngrohtësi me improvizimin e një ode shqiptare tradicionale me oxhak, libra të vjetër, qilim artizanal e mangall.

Bashkëudhëtarja e piktorit (në mungesë) Diena, si kuratore e ekspozitës së bashku me vajzën Esiela dhe nënën e saj janë tre sibilat që ndriçojnë e përkujdesen për “foshnjat e gjalla”, krijesat artistike të At e Bir Ramadanit dhe Dorianit në familjen Karanxha. Ajo ndalet tek shumësia e vazove me lule dhe ngjyrave të cilat i sheh si një tregues i mirësisë dhe dashurisë së Dorianit dhe babait të tij për jetën.

Vlera artistike rritet si fenomen i kohës në artin pamor. Të larguar nga jeta tokësore, at e bir janë bashkuar në një ekspozitë pikture me shije dhe rrugë të ndryshme të shprehuri brenda kuadratit.

Sidoqoftë tek veprat e pjestarëve të familjes vibron diçka e përbashkët. I njëjti shpirt ndihet teksa vështron punët e nderura në mure.

Peisazhet dhe natyrat e qeta të “Danit” siç e thërrisnin miqtë e kolegët, bartin frymëmarrjen e reales të përthyer nga bota e brëndshme mbi telajot e tij.

Jo vetëm “E kuqja” për të cilën edhe si kimist ngjyrash ai u njoh në gjallje, por e verdha diellore qenka një tjetër zbulim në përballjen me punët e autorit. Kjo shihet në peisazhin nga Durrësi dhe statuja e Afërditës në tempullin e saj. Drita në ngjyrat e tij, të para nga lupa e të ngrohtave, tërheq si me magnet shikuesin duke ftuar secilin të hyjë brenda një skene në pyll ose tempulli i Afërditës si vendbanimi arkeologjik i kodrave të Epidamnusit.

Bota femërore tek Doriani, është e lidhur në çdo detaj me realitetin. Dijena tregon një portret vajze ku qafa e kthyer dhe shalli i kuq të befasojnë me finesën dhe feminitetin duke dëshmuar mbi një ndjeshmëri të lartë të bashëkudhtarit krijues.

Breznia e tretë, bija e Dorian dhe Diena Kranxhës është Esiela, e cila prezantohet me një peisazh tejet shprehës me asimetrinë në ekuilibër të një fëmije, qëndron mes pikturave të babait dhe gjyshit të saj, duke komunikuar me vizitorët me një siguri dhe vetëdije të lartë mbi vlerat të cilat ndjek dhe përfaqëson familja.

Pas largimit nga ekspozita, një shije e mirë të shoqëron brenda teje. Thua me vete: “Sa mirë që paska ende njerëz që ruajnë, investojnë e ushqejnë tek pasardhësit, disa vlera të trashëguara familjare, si dashuria për artin.”