Portretistja e qeshur e qyteteve turistike.

 

Koha dhe përkushtimi i portretistes elbasanase në sheshet bregdetare të Selanikut ka lënë gjurmët në fytyrën e saj të buzëqeshur. Jeta Kafa ose Vita siç e thërret veten ka lëvizur disa herë duke ndjekur thirrjen e detit nga Selaniku në Romë , më vonë në Durrës , nga sheshi i shëtitores së Vollgës tek pastiçeria “ Pelikan” , ku punon e qetë për njerëzit portrete të çastit , falë ndihmës së pronarit të lokalit , një bashkohës në emigracion të cilit ajo i detyrohet një mirënjohje për lehtësinë e krijuar.

Bëmat e “Bubulinës” grafiste të Selanikut sipas portretistes së sotme janë të pambarimta. Mbijetesa në fillim e një vajze grua , në metropolin e pasanikëve të Greqisë , u shoqërua me pengesat ciklike si ambulante por shumë shpejt me vlerësimin e publikut arriti ta ngrejë veten dhe vëndin e saj të respektuar në një pozicion më të lartë.

Gruaja me laps në dorë , në orët e vona të natës , vijon të skicojë mbi letër në një shesh të plazhit të Durrësit pranë zonës së njohur si Hekurudha. Gjithkush që ndalet e kthen kokën nga kjo zonjë , e sheh të përqendruar tek kavaleti i saj , madje edhe kur pushon , ajo është duke ravijëzuar portrete të ndjera ndër kalimtarët.

Nga stoli i shumë përmasimeve vizive, vendosur në shëtitoren buzë Adriatikut , nis të na tregojë bëmat e emigracionit si portretiste në Selanik. Pas viteve ’90 kur u largua në Greqi , prekja më e parë ishte në një shesh të njohur si piazza e Selanikut në përballjen me një tjetër piktor , punët e të cilit fillonin nga pesë mijë euro. Artizani grek i tregoi se punën e parë e kishte nisur nga nevoja për të blerë një paketë cigare.

Thotë se e filloi nga bregdeti Perea i Selanikut dhe piktori vendas quhej Simo Gjeorgjari ose mbreti i piacës së asaj kohe. Kishte rreshtuar ca piktura të zgjedhura , i rrethuar nga shumë dashamirës kureshtarë.

“Mirdita” – iu drejtua Vita , – “a mund të punojë edhe unë këtu ? “

“Çfarë di të punosh më mirë ? “ – iu drejtua “mbreti i peisazhit të piacës “.

E duke vrojtuar me kujdes punët e ekspozuara të tij , Vita tregon se zgjodhi portretin për të mos i dhënë asnjë shenjë konkurrimi. Mbasi e fitoi garën me artizanin grek të peisazhit , ajo punoi e qetë dhe arriti në një vlerësim të lartë në bursën e kërkesave për portrete nga kalimtarët dhe porositësit . Madje sa herë që ndizej beteja kur fillonte një portret , rrotull saj mblidhej një eskortë njerëzish prej dhjetëra personash , si një publik shoqërues e tifoz i talentit të vizatueses shqiptare. Që nga ajo kohë e pagëzuan artistikisht dhe në gjuhën e vëndit pritës me emrin Vita , Zoitsa me miratimin e saj.

Në “sëndukun” e hapur të historive sociale, ajo ruan disa shenja të sajat, për të cilat netë vere nuk mbarojnë për t’i treguar. Vita më dhuron portretin e një vajze me bishtaleca të gjata , faqekuqe me sfond gurkali, ndërsa ruan punë ku ka lëshuar emocion e ndjesi si krokia e një modeli të famshëm në mediat greke. Autoportreti në rininë e parë që e mban si pasqyrim të vetvetes mbi kavalet, duket se merr e jep më të energji jetëzgjatëse. Ky portret emblemë i “Bubulinës” së Selanikut , të tërheq me gjëndjen e gëzueshme dhe duket sikur ajo të sheh edhe e kthyer me shpinë duke punuar.

Vita është vizatuese shëtitëse e fortë në grafikat e saj të mësuara nga përvoja e gjatë dhe këshillat e babait piktor , përmes punës në dekorin e qytetit të Elbasanit , jo nga ndonjë shkollë apo akademizëm i kërkuar.

Edhe në këtë çast, po ju ra rruga të kaloni andej, në bulevardin e rindërtuar të plazhit të Hekurudhës , do ta gjeni aty , mes njerëzve, duke punuar e vëmendshme e kryelartë mes pushuesve nga trojet , në zhurmnajën e dialekteve të fshatrave të Kosovës , Maqedonisë , pak sllavisht , anglisht e italisht rrotull saj, në pritje të asaj çfarë sjell era e detit.

Vita jeton mes disa qyteteve , në Selanik ku ndodhet e bija , tek e cila shkon e vjen në stinët e pushimit, tek studio e improvizuar në Tiranë , tek vëndlindja e prindërve në qytetin e ditës së luleve dhe tek areali i mbipopulluar në Plazhin e Durrësit. Vajtje ardhjet e shpeshta e gjallërojnë në udhëtimin drejt aventurës së përditshme njerëzore e artistike.

Andi Bica , Beti Kumi