Prezantimi i stilistes Majlinda Syziu Çano me “Lina Collection”

 

*Shkruar nga Beti Kumi

Ndodhemi në hollin e Hotel Plazza të Tiranës. Na patën ftuar në një sfilatë mode të realizuar nga një grup autorësh bashkombas. Mbas një pritjeje të gjatë me gotën e shampanjës në duar duke diskutuar mes miqve të arteve prezantuese skenike për problematikat dhe mundësitë e kohës për profesionistët e të rinjtë, më në fund erdhi thirrja e fillimit të eventit tre ditor me në qendër fustanin e nuses shqiptare ose  “pemës së jetës”.

Shijuam larminë e veshjeve mbi skenën e improvizuar në një mjedis luksoz në një nga sallat e hotelit më të ri ku vajzat me trupat e hijeshisë së bukurive shqiptare shpalosnin modelet e ndryshme të kostumeve. Na ra në sy që në portretet e tyre kishte pakëz ankth gjatë ecjes..!

Më vonë dalluam se mbi vend shkeljen e tyre dyshemeja nuk ishte e rrafshët. Vende – vende, dukeshin kurrize e gropa mbi skenë. Pastaj me këtë merak bashkë shoqërues për modelet, patëm mundësi të soditim  edhe motivet e pasura, ngjyrat e gjalla dhe fantazinë e stilisteve. Çdo autori në fund të prezantimit i dhurohej nga një titull vlerësues.

E reja ishte sfilimi për fëmijët, të cilët me origjinalitetin e natyrshëm argëtuan shikuesit e pasionuar e kureshtarë të botës së imazhit e modës, me disa veshje të cilat evokuan në mënyrë më komike, një epokë të aristokracisë së dikurshme franceze. Në finale stilistja lushnjare Majlinda Syziu Çano, e cila është vlerësuar jashtë Shqipërisë për punimet e saj me grep dhe shtiza, na tregoi  me dashuri disa nga vibrimet e shpirtit të saj artistik. Veshjet e autores e rifreskuan traditën shqiptare, të prurë me stilin e ri të personalizuar. Punët e piktores dhe stilistes “LINA COLLECTION” na kthyen pas në kohë, në një udhëtim tek shekujt kur kostumi i gruas, mëmës dhe vajzës shqipe ishin një institucion autoritar i respektuar e vlerësuar në të gjitha mjediset sociale edhe nga të huajt.