Prezantohet “Sfida Rajonale Elevator Lab Shqipëri & Kosovë” në universitete

 

Një seri takimesh u realizua gjatë javës së kaluar në universitete, në kuadër të prezantimit të “Sfidës Rajonale Elevator Lab Shqipëri & Kosovë”, organizuar nga Raiffeisen Bank.

Fakulteti i Ekonomisë ishte i pari që hapi dyert për Sfidën e Elevator Lab. Studentët e Bachelor dhe të Masterit dëgjuan me shumë interes prezantimin e bërë nga Gerti Boshnjaku, CEO i New Media Communications dhe Business Magazine Albania dhe Tomi Kallanxhi, CEO i shpi.al. Ata u njohën me mundësitë që programi ofron dhe fushat në të cilat startup-et mund të aplikojnë.

Takimi i dytë u organizua me studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe më konkretisht me ata të masterit të degës Inxhinieri Informatike & Matematike. Studentët treguan interes për programin e në veçanti edhe për fushat në të cilat mund të aplikojnë.

Zj. Anila Hoxha, Drejtore e Sigurisë pranë Raiffeisen Bank, iu prezantoi studentëve faktin se tashmë Banka ka hapur mundësi të panumërta në këtë program partneriteti i cili është më i madhi në Europën Qendrore – Lindore. Të gjithë ata që kanë një produkt / shërbim inovativ në sektorin e Fintech por jo vetëm mund ta testojnë atë në një ambient real dhe Banka mund t’i mbështesë me mentorim nëpërmjet rrjetit të saj ndërkombëtar.

Në të njëjtën frymë, Raiffeisen Bank ka hapur dyert dhe për programe internshipi për studentët, program i cili ofron trajnim brenda ambienteve të bankës dhe punësim për personat që përzgjidhen.

Instituti Kanadez i Teknologjisë ishte destinacioni i tretë, ku prezantimi u prit mjaft mirë nga studentët. Një takim ndërveprues me pyetje përgjigje rreth kësaj sfide.

Gjatë diskutimeve u shpjegua se Sfida Elevator Lab është një program ku përfitojnë të dyja palët, si startup-et ashtu edhe vetë banka.

Krahas njohjes me programin, studentët e të tre universitetve u njohën edhe me Symmetric, startup-i që fitoi raundin e parë të Elevator Lab Shqipëri në vitin 2018 me zgjidhjen e pagesave të saj Openpay (Peer-to-Business). Kjo formë pagesash u mundëson klientëve retail që t’i paguajnë tregtarët menjëherë duke përdorur telefonat e tyre smartfone.

Aktualisht Raiffeisen Bank Shqipëri po punon me Symmetric për të dalë live me Openpay.

Një takim mjaft interesant u bë me një pjesë të përfaqësuesve të komunitetit të startup-eve në Shqipëri. Pjesë e saj u bënë kompani si Symmetric, Almotech, Smart ED, duapune.com, Yunus Social Business, Transmogul, përfaqësues nga Startup Live Tirana, Spontan Creative Media, Tirana Business University, UnniTech, AME Digital Consulting, përfaqësues nga Oficina etj, të cilët diskutuan për ndryshimet që po ndodhin aktualisht me startup-et në Shqipëri.

“Sfida Rajonale Elevator Lab” Shqipëri & Kosovë ju bën thirrje të gjithë të interesuarve, start-upeve, etj që mund të aplikojnë me idetë dhe zgjidhjet e tyre në fushat Regtech, Bankingu SME (SME Banking), Bankingu Retail (Retail Banking), Siguria Kibernetike (Cyber Security), Zgjidhjet për Kursin Valutor (FX Solutions), Klientët Korporatë & Sektori Publik (Large Corporates & Institutional Clients) dhe Analizat e Avancuara dhe Inteligjenca Artificiale (Advanced Analytics & Artificial Intelligence).

Në vijimësi të prezantimit të Sfidës Elevator Lab, gjatë kësaj jave do të zhvillohen disa takime në universitete të tjera, si më poshtë:

– E Martë, 21 Maj, ora 09:00 AM – Universiteti Marin Barleti
– E Mërkurë, 22 Maj – Universiteti Luarasi
– E Enjte, 23 Maj, ora 5:30 PM – Startup Grind Tirana tek ICTS Lab
– E Premte 24 Maj – Akseleratori Oficina

Thirrja për aplikim ka filluar dhe mbyllet më datën 3 Qershor 2019.

APLIKONI TANI për “Sfida Rajonale Elevator Lab” në Shqipëri & Kosovë dhe do të keni mundësinë që të fitoni tre çmime monetare për 3 fitues, mundësinë e një “wild card” për gjysëmfinalen e programit të partneritetit në të gjithë grupin fintech etj.

Për më shumë informacion rreth këtij programi mund të vizitoni faqen e internetit: https://elevator-lab.com/challenges/regional-2/