Projekti AGROINNOECO në mbështetje të ideve inovatore në agroindustri

 

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës organizoi më 29 Tetor 2018 një takim informues në kuadër të projektit “AGROINNOECO – Ekosistemi i inovacionit ndërrajonal Balkan Med për maturimin dhe integrimin e ideve sipërmarrëse inovatore në sektorin agroushqimor”, pjesë e Programit INTERREG Balkan-Mediterranean 2014-2020.

Projekti do të ketë në fokus fazën e para-inkubimit në sektorin agroushqimor, si një hap i nevojshëm për plotësimin e hapësirave boshe që ekzistojnë ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe strukturave të zhvillimit, për të lehtësuar transferimin e inovacionit.

Së shpejti, nëpërmjet një thirrje të hapur, sipërmarrës potencialë, të cilët kanë një ide inovatore biznesi në sektorin agroushqimor, do të mund të aplikojnë me idenë e tyre. Gjithsej do të përzgjidhen 15 idetë më të mira, fituesit e të cilëve do të trajnohen dhe do të pajisen me të gjitha aftësitë e nevojshme për të implementuar idetë e tyre në një biznes start-up.

Të ftuar ishin studentë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, studentë nga Universiteti i Tiranës, si dhe biznese që kanë interes në sektorin agroushqimor.

Profesor Rezart Prifti u bëri thirrje të rinjve të aplikojnë me ide novatore në fushën e agropërpunimit dhe të bëhen pjesë e programit mbështetës.

Studentët parashikohet të orientohen nga pedagogët për planin e biznesit dhe të marrin mbështetje prej tyre për idenë e biznesit. Në fund të procesit, projekti do të shpallë edhe idenë fituese.

Për mundësitë e përfitimit, të rinjtë u njohën edhe nga partnerët e projektit, Viola Xhindi, Drejtore e Departamentit të Projekteve pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Aida Kokalari, Koordinatore e Projekteve dhe Prof. Kozeta Sevrani e Tea Tavanxhiu, pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë.

Ky projekt, i financuar nga fondet e Bashkimit Europian dhe vendet partnere si Greqia, Qipro, Bullgaria dhe Shqiperia ka për qëllim përmirësimin e inovacionit në sektorin e biznesit agroushqimor.