Prokurori francez: “Atentatet nga 3 celula terroristesh”

Lidhur me artikullin:

Prokurori i Parisit Francois Molins në një dalje përpara mediave ka dhënë detaje për sulmet terroriste që ndodhën në kryeqytetin francez. Sipas tij, ka qenë një sulm i koordinuar i tre celulave terroriste, të cilët kanë bërë 7 sulme të ndryshme në disa zona të Parisit.

Tre prej këtyre sulmeve ishin shpërthime pranë stadiumit kombëtar të Francës ku luhej ndeshja miqësore Francë-Gjermani. Atentatorët kamikazë kishin të gjithë të njëjtin brez shpërthimi. Kurse sulmet e tjera ishin me armë, kallashnikov AK-47, në zona të tjera të Parisit. Prokurori tha se autorët kishin përdorur makina tip ‘Seat’ me ngjyrë të zezë me targa të Belgjikës.

Makinat ishin marrë me qera nga një francez rezident në Belgjikë. Përsa i përket financimeve, ishin të mbështetura nga Shteti Islamik. Kreu i organit të akuzës së Parisit konfirmoi se kanë vdekur 129 persona, kurse 352 të tjerë janë të plagosur, nga të cilët 99 janë në gjendje të rëndë.