Qëndrimi i Macedonia2025 për emrin e vendit

 

Macedonia2025 është një organizatë e pavarur, joqeveritare, jo-fitimprurëse dhe jo-politike. Qëllimi dhe misioni ynë i vetëm është të vazhdojmë të nxisim, të promovojmë dhe të rrisim mirëqenien ekonomike për të gjithë njerëzit tanë që banojnë në Republikën e Maqedonisë, si dhe për ndërtimin e një kombi më të fortë.

Pothuajse çdo vit që nga fillimi, na është kërkuar që të futemi në diskursin politik përmes shumë temave që përfshijnë; zgjedhjet, proceset gjyqësore dhe ndryshimi potencial i emrit për vendin. Për shumë prej këtyre çështjeve, ne jemi vendosur kundër marrjes së një qëndrimi ose shprehjes së një opinioni, pasi kjo nuk do të ishte në përputhje me misionin e organizatës sonë.

Emri i vendit është një çështje e rëndësishme që prek thellësisht të gjithë maqedonasit në nivel global dhe ne shprehim pikëpamjen tonë kryesisht nga një kënd i prosperitetit ekonomik. Është besimi ynë i prerë që asnjë grup ose person nuk duhet të jetë në gjendje t’i tregojë të tjerëve se kush apo çfarë janë, apo çfarë besojnë. Çdo person, duke përfshirë maqedonasit, duhet të gëzojë të drejtat themelore të njeriut për vetëvendosje.

Republika e Maqedonisë është shtet sovran. Prandaj, përgëzojmë qasjen e tanishme dhe të mëparshme të Qeverisë se çdo zgjidhje e negociuar, e cila nuk e komprometon identitetin dhe gjuhën e kombit, do të jetë subjekt i pajtimit dhe pajtueshmërisë me kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

Është e kuptueshme që zgjidhja e ndryshimit të mundshëm të emrit për vendin, po inkurajohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe nga qeveritë e tjera të huaja, të cilët dëshirojnë ta shohin vendin të ecë përpara nga ky bllokim gjatë tre dekadave të kaluara. Ne gjithashtu besojmë se anëtarësimi në BE dhe NATO është shumë i rëndësishëm, por jo me çdo kusht.

Ne si organizatë ekonomike dëshirojmë të theksojmë se nuk ekziston një arritje e vetme ose një zgjidhje e një çështjeje që do të lehtësojë prosperitetin ekonomik për popullin tonë. Është puna e madhe, përkushtimi, rritja e tregtisë dhe investimeve, ç’rrënjosja e korrupsionit, sistemi gjyqësor i ndershëm dhe i pavarur dhe mbi të gjitha uniteti që ne besojmë se do të nxisë rritjen ekonomike.

Qeveria e Maqedonisë zgjidhet nga dhe për popullin e Republikës së Maqedonisë dhe duhet të kujdeset e të përfaqësojë interesat e qytetarëve të Maqedonisë. Nëse jetojmë në Republikën e Maqedonisë apo në shumë vende të tjera anembanë botës me popullsi maqedonase, do të quhemi gjithmonë maqedonas.

Prandaj, Macedonia2025 i kërkon të gjithë maqedonasve të përqëndrohen në ruajtjen e një mjedisi të mirë ekonomik në të cilin ndërmarrjet dhe sipërmarrësit vendas dhe të huaj të nxiten për të vazhduar investimet në Maqedoni. Në një arenë globale konkurruese, vendet duhet të sigurojnë një klimë të mirë biznesi dhe stabilitet politik për të arritur rritjen ekonomike. Ne jemi në dispozicion për të lehtësuar dialogun dhe për të ofruar mbështetje drejt arritjes së këtyre qëllimeve të rëndësishme.