Refleksion mbi atdhetarin ortodoks Nikolla Nishku dhe veprimtarinë e tij kulturore

 

” … Geg’ e tosk’, malsi, jallia
jan’ nji komb, m’u da, s’duron;
fund e maj’ nji a Shqipnia
e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.

Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak’ e shkrime
çka natyra vet’ përpoq. ”

NDRE MJEDA

Nikolla Nishku siç rezulton nga faktet dhe burimet autentike, e ka të merituar pjesëmarrjen si protagonist në aktin  e shpalljes se Pavarësisë në qytetin e Tiranës ose Ditën e Flamurit në kryeqytet, 26 Nëntor 1912. Këtë e vulos një herë e përgjithmonë dokumenti i Lef Nosit, dëshmia me firmë e Esat Dishnicës mbi dy burime të rëndësishme  dëshmitarësh të kohës si atdhetarët Abdi Toptani dhe Jusuf Elezi. Në komisionin që u formua nga populli më 26 Nëntor 1912 në sheshin e Shallvares për të ngritur flamurin kombëtar dhe për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë ishte Nikolla Nishku.

Si konkluzion brenda dashamirësisë i sugjerohet dhe kërkohet brenda mirëkuptimit e dashamirësisë autoriteteve të pushtetit vendor të ndreqet ky gabim dhe Bashkia e Tiranës të rikthejë emrin e Rrugës Nikolla Nishku në identitet duke ardhur nga periferia në qendrën e Tiranës ose në Tiranën e Re, ( p.sh. te rruga  Nikolla Tupe në Bllok ose Urani Pano pranë qendrës së kryeqytetit) atje ku jetoi dhe zhvilloi aktivitetin Bashkësia Ortodokse si ngritja e shkollës  shqipe në ish katedralen e krishterë sot Hotel Tirana.

Kujtesa:

Nikolla Nishku dhe familja e tij tiranase, përmendet edhe në shënimet e kodikut të  bashkësisë së krishterë për kishën e Shën Prokopit që ndodhet në kodrat e parkut të liqenit, si dhuruesi të tokës.

Po kështu në këtë kodik kishtar familja Nishku figuron me prona e pasuri të paluajtshme në Tiranën e vitit 1819. Shtëpia e ngritur nga familja tiranse Nishku ishte një shtëpi dy katëshe me mure të trasha qerpiçi dhe tavane të drunjta të punuara mjeshtërisht duke përfaqësuar motivet e banesave të para qytetare në Tiranën e para disa
shekujve me rënien e Voskopojës në vitin 1769. Atje ka banuar përkohësisht dhe ish Ministri Hilë Mosi. Shumë pranë saj, disa metra më tutje ngjitur ndodhej Katedralja Ortodokse e Vangjelizmosë.

Madje disa prej antarëve të familjeve Nishku, Antoni, Koja vijuan të jenë ndihmës gjatë shërbesave fetare. Më vonë pasi Nikolla ndërroi jetë prej një epidemie të kohës, në vitin 1924 kjo traditë vijoi tek vëllai i tij Leonidha Nishku ku u strehua dhe personaliteti i kishës shqiptare Peshkop Fan Noli.

Njohuri Biografike

Nikolla Nishku lindi në Tiranë rreth viteve 1860 dhe ndërroi jetë nga fundi i luftës së parë botërore në vitet 1917-1918 gjatë epidemive të kohës. Ishte njeri që për kulturën dhe horizontin e tij të gjerë gëzonte prestigj e nderim jo vetëm në gjirin e Bashkësisë Ortodokse të Tiranës, por në përgjithësi në tërë popullin e qytetit. Në Bashkësinë Ortodokse të Tiranës, sipas të dhënave të Kodikut të Shën Prokopit ai ka qenë i ngarkuar me detyra të rëndësishme: Në vitin 1887 e gjejmë të ngarkuar më detyrën e eforit të shkollës. Në vitet 1895 – 1897 emërohet si zëvëndës i mitropolitit Visarion Theohari për Tiranën, e cila që në vitin 1872 qe ngritur në zëvëndësi mitropolitane nga enori e thjeshtë që ka qënë deri në atë kohë.

Duke qenë vazhdimisht antar i Këshillit Administrativ të dhimogjerondisë, ka marrë pjesë gjallërisht në të gjithë veprimtaritë shoqërore – arsimore të bashkësisë. Nxënës i Kostandin Kristoforidhit dhe Petro Dodbibës, të cilët i kallën në shpirt dashurinë për gjuhën shqipe e për atdheun. Ai ishte njëkohsisht dhe një patriot rilindës i dalluar. Ka punuar shumë në përhapjen dhe mësimin e gjuhës dhe të librave shqip. Librat i vinin fshehurazi nga Kavaja nëpërmjet familjes së Mit Koljakës (rreth viteve 1902 e më vonë) dhe ai në bashkëpunim me patriotë të tjerë i shpërndante nëpër familjet e tjera. Mori pjesë bashkë me këta atdhetarë si antar i delegacionit nga Tirana që u dërgua në Kongresin e Dibrës, i cili u mbajt më 23-28 Korrik 1909. Atje foli duke mbrojtur me guxim gjuhën shqipe dhe përdorimin e alfabetit latin për shkrimin e saj. Pak më vonë, Klubi i “Bashkësisë” së Tiranës në të cilën ai bënte pjesë si një nga antarët me influencë e caktoi pjestar të delegacionit, i cili mori pjesë në Kongresin e mbajtur nga 2-9 Shtator 1909 në Elbasan për problemin e shkollave shqipe.

Ai gjithashtu bëri pjesë në Komisionin që u dërgua në Krujë për të njoftuar komandantin e ushtrisë serbe që të mos marshonte mbi Tiranën se ajo kishte shpallur pavarsinë dhe se Shqipëria ishte një shtet neutral. Për ndjenjat dhe veprimtarinë e tij patriotike ai është ndjekur dhe burgosur disa herë . Në 70 vjetorin e pavarsisë të Shqipërisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoroi Nikolla Nishkun me urdhërin për veprimtari patriotike të klasit të III. Këshilli i Qarkut të Tiranës e nderoi me 23 Nentor 2012  me çmimin “Nderi i Qarkut” mes 16 personaliteve të shquara të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në 100 vitet e shtetit shqiptar.

*Shkruar nga Andi Bica