Riardhja e Paridit në tempullin e dijes

 

Ankthi i rimarrjes artistike te Parid Dule: “9 muaj ndenja në barkun e mëmës, gjithë jetën e mbaj mbi kurriz”

Në shkollën e edukimit artistik “Metronom” të Tiranës, artisti pamor Parid Dule solli prurjet më përfaqësuese në pikturë. Një situatë qetësuese për shikuesit kalimtarë dhe miqtë e artit pamor në rrugën “Siri Kodra”, ishte për më tepër se një javë ftesa e hapur e ekspozitës për t’u pasuruar me peisazhin impresionist të Shqipërisë, portretin arketip të malësorit, Skënderbeun meditativ në fron, Atlantin i cili mbart kumtin e tokës mëmë e vajzë. Këto mendoj janë tre nga shenjat e rëndësishme të këtij vokacioni vijues të Paridit.

Paridi u rikthye së toku me pasionin e arteve marciale e mësuesin e tij nga Kosova Enver Cakiqin në ekspozitën personale të shoqëruar me performimin me koreografi të brezave të të rinjve e mjeshtrit që hapi rrugë të reja mbrojtjeje e lëvizjeje në Tiranën e viteve ’90.

Koka e Malësorit, një shprehi e temperamentit shqiptar përshkënditet në punët e reja të Dules, përmes vështrimit përtej kohor drejt një të ardhmeje të përbashkët të Shqipërisë me trojet.

Ngrysja e vetullave të shqiptarit të Veriut, ilustron inatin e bashkombasve si tipar qëndrese i arbëreshëve.

Atlanti bir hyjnor (i Zeusit ose titanit Japet me Nimfën Klimena, bija e Oqeanit) mban mbi shpinë një tokë të jetshme në përfytyrimin e Paridit. Mbivendosja e sferës në formën e njeriut titan jep një kontrapunkt të ndjeshëm. Ndonëse ky motiv rimerret nga artistët e të gjitha kohërave, tek kjo përballje me mitin, Atlanti shpalon sferën brenda njeriut si kryeformë dhe vetë sfera si simbolikë e mbylljes në format e gjalla, tregon aksiomën e post modernizmit: “Hapje brenda mbylljes…” Nëse toka si planet është sferike dhe është e izoluar në strukturën e saj, njeriu titan si bir i ujërave rrethues të saj, trashëgon mbylljen mbi kokë, por në trupin e tij kemi hapjen e simbolit të pemës nëpërmjet krahëve e këmbëve të fuqisë mashkullore. Ky ekuilibër harmonik i Uin Jangut ose raportit të njohur femër – mashkull, burrë – grua, nënë e bir ose Atlant me Tokën, te realizimi i  Parid Dules, rivjen me kumtin e njohjes së vetvetes. Pra si na thotë mendimtari gjenial i arteve marciale Bruce Lee: “Të gjitha llojet e dijes sot e kanë burimin nga dija e brëndshme që vjen si njohje e vetes.”

Portreti i vajzës me gërshet e veshjen e Shqipërisë së Mesme vjen si burimet e malësive të Tiranës, i kthjellët, i shëndetshëm e me një sjellje edukimi të lindur e të bartur në gjenet e mëmave e bijëzave të këtij trualli ku jetojmë. Vajza me gërshet në dukje e thjeshtë, me një vështrim syulur tërheq me mirësi në përkuljen e qafës në bashklëvizje me floknajën e disiplinuar. Ajo vjen si përtëritje e ritit femëror të lidhjes e zgjidhjes së përditshme të ngjarjeve nga lindja në perëndimin e diellit.

Në mbarim të leximit të këtyre shenjave të Parid Dules, lexojmë raportin e ngjyrave në pikturën e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit i cili rrin në prehje në fronin mbretëror. E kuqja diellore e Paridit ngroh e të vë në lëvizje gjithshça përbrenda, me shikim të parë.E njëjta ngjyrë shpërndahet në tone e gjysëm tone te “Koka e Malësorit”, “Atlanti me Tokën”, te syri në legjendë apo këmba e mitit dhe brezi i heroit. Zjarri si element i dritshëm, rrinë si gur i qoshes në pikturat e tij. Paridi si edukues aktiv së pari i të birit, Matisit në jetë dhe i shumë të rinjve sportistë, në profilin si  artistit pamor sheh më qartë pasi e ka kryer me punët e tij artistike udhëtimin përreth botës, falë përzgjedhjes kurajoze e me kualitet të mendimtarit të pakompromis e kritikut vizionar Vittorio Sgarbi në vitin 2017. Përballja me mitet e legjendat, rileximi i motivit kombëtar në kostume e rite, flasin me gjuhën e formës për një tipar dallues si përhershmëria në art. Te Paridi stinët ndryshojnë së jashtmi, por melodia e brëndshme qëndron po e njëjtë, me të gjitha variacionet e regjistrat tingullorë, një dashuri e përhershme të cilës ia nënshtron bindshëm të dy pasionet (pikturën dhe sportin e arteve marciale).

 Shkruar nga Andi Bica