Rilindja e hajduteve

Lidhur me artikullin:

Nga Andi Bushati

 

Nese ka diçka qe vertet ka ndryshuar me ardhjen e Edi Rames ne pushtet, ajo eshte rilindja e nje lloji te ri grabitjeje, atij permes koncesioneve. Pak dite me pare, me nje shkrim te detajuar dhe tejet profesional, revista Monitor, kishte hartuar nje ekspoze te plote te asaj qe ka bere dhe po planifikon te beje qeveria socialiste.

Shifrat jane te frikshme.

Jo vetem sepse nje parti e majte po dorezon shtetin tek privatet.

Jo vetem sepse planifikohen te jepen rreth 70 koncesione (ne rruge, transporte, dogana, shendetesi, sherbime te tjera publike).

Jo vetem sepse Ministria e Shendetesise ka hapur nje thes te madh, 200 milione euro ne vit, per miqte dhe klientet e Rames, duke dhene me koncesion, check -upin, hemodializen, sterilizimin dhe mbetjet spitalore.

Te gjitha keto jane njolla me vete. Nje çmenduri financiare dhe nje fushe e pamate per abuzim.

Por njekohesisht me shifrat, me dhenien e milionave pa gare, me “dhuratat” per miqte dhe me riblerjen e ish klienteve te qeverise Berisha, kjo strategji shkaterrimtare ka hapur edhe probleme te tjera te medha:

Se pari, ajo po e dorezon shtetin tek nje oligarki e dyshimte duke ngritur nje pikpyetje te madhe: perse ka vlere qe paskesaj shqiptaret te vazhdojne te votojne per perfaqesuesit e tyre politike, kur edhe doganat edhe financat, edhe pullat fiskale edhe ngjyrimi i naftes edhe analizat mjekesore edhe rruget edhe transporti i kontrollohen nga njerez qe nuk i nenshtrohen kesaj vote?

Se dyti, ajo po shnderron ne tallje dilemen per ndryshimin apo jo te pushtetit, sepse te gjitha keto koncesione po jepen me periudha te medha afatgjata (10 vjet dhe me teper) qe e kalojne me shume se dyfishin e nje mandati qeveritar.

Se treti ato e rendojne disa here xhepin e qytetareve shqiptare. Sepse duke dhene me koncesion perpos veprave te medha (psh: Rruga e Kombit per “dhurimin” e se ciles flitet se po behen pazare te paimagjinueshme) e njejta menyre po perdoret edhe per sherbimet. Dhe keshtu njerezit detyrohen te paguajne edhe administraten publike qe nuk eshte ulur aspak ne numer edhe privatet qe prezumohet tu sherbejne.

Dhe ne fund ato po rezultojne jo efikase. Ngjyrosja e naftes nuk funksionon. Rapiskani i bente tregtaret te paguanin dy here dhe faktet treguan se droga u kalon nen mustaqe. Crown Agent megjithese morri plot 8.5 milion euro, beri nje grope te madhe ne dogana. Kolege gazetare kane raportuar se disponojne fatura te rreme sikur nje fshat i tere e ka bere ne menyre fallco check-upin mjekesor. Kudo duken shenjat e vjedhjes dhe shperdorimit.

Por pyetja qe lind pas kesaj eshte: a nuk i di kryeministri Rama keto? A nuk e kupton administrata e tij se ka hyre ne nje spirale te çmendur shperdorimesh?

Natyrisht qe do ishte naive te kishe dilema per keto pikepyetje.

Ato me pare se zbulimi i nje strategjie te re per shtetin e vogel, jane aplikimi i nje menyre te re per te vjedhur. Fiks ashtu sikurse deklamoi nje deputet socialist ne prag te fushates elektorale: “ne do te vjedhim ndryshe”.

Rama dhe ekipi i tij kane vendosur te vjedhin ndryshe dhe te sigurte.

Sepse ne fakt, rrugen e koncesioneve abuzive nuk e nisen ata, por qeveria paraardhese e Berishes. Socialistet ate kohe ne opozite, deklaruan me force se do ti anulonin pjesen me te madhe te ketyre marreveshjeve ne dem te shqiptareve.

Per hir te vertetes tentuan dhe deshtuan. Sepse mekanizmat e shtetit ligjor dhe gjykatat nderkombetare, nuk jane te gatshme ti anulojne vendimet e nje shteti, sado qeveri e keqe qe ti kete marre persiper ato.

Dhe me sa duket, ky deshtim, jo vetem nuk i merziti socialistet rishtare ne pushtet, per mosmbajtjen e zotimeve elektorale, por ne te kundert i mesoi atyre nje rruge te re: se me ane te koncesioneve mund te vidhet ne menyre te qete dhe te patjetersueshme.

Dhe zagaret u leshuan nga zinxhiret.

Te sigurte se kishin rilindur nje menyre te re grabitjeje.

Mjafton te lexosh raportin e detajuar te “Monitor” (shiko poshte ) per ta kuptuar kete. Ai verteton se te pakten rilindasit nje premtim e kane mbajtur. Ata per te grabitur tjeterlloj. /Lapsi.al/