Rishkruhet historia. Uli Hoeness rikthehet presidenti i Bayern. “Tani vetem sulm”

Lidhur me artikullin:

Kongresi ishte planifikuar te niste ne oren 18:30, por u shty me 20 minuta, pasi u krijua nje kaos i madh. Ne rrugen kryesore prane stadiumit te skuadres bavareze te basketbollit, “Audi Dome”, pati jashtezakonisht shume trafik dhe qarkullimi i automjeteve u rendua tejmase. Sikur te mos mjaftonte kjo, ne hyrje u krijua nje mishmash i frikshem tifozesh, pasi jo te gjithe mund te hynin per te marre pjese ne ngjarjen e vitit per klubin bavarez. Gjithsej, ne Kongres ishin rreth 7 mije anetare.

Te nxitur disi nga rremuja e krijuar, disa tifoze te Bayern fershellyen Hoeness, ndonese ishin te paket ne numer. Presidenti i dorehequr, Karl-Hopfner, u kerkoi falje atyre. Ky i fundit mori duartrokitje te panumerta me te nisur Kongresi, ashtu si edhe trajneri Carlo Ancelotti, i cili u largua para kohe, sepse duhej te merrej me pergatitjet e fundit para ndeshjes me Bayer Leverkusen-in (sot, ora 18:30).

“Kaq ishte. 33 vitet e mia ne klub perfundojne ketu”, – u shpreh Hopfner, i larguar me deshire nga presidenca per t’i lene vendin Hoeness.

Ai njoftoi me krenari se Bayern aktualisht ka 284041 anetare, me shume se çdo klub tjeter ne bote.

“Uroj te behemi shpejt 300 mije”, – shtoi 64-vjeçari.

Me pas u prezantuan fitimet e vitit financiar 2015-2016, ku Bayern lajmeroi se ka vendosur rekorde te reja. Gjithsej, klubi ka xhiruar 628,8 milione euro dhe kjo eshte nje rritje prej 20% krahasuar me sezonin 2014-2015 (523,7 milione euro). Fitimi bruto eshte gjithashtu rekord, 53,9 milione euro (vjet ishte 31,4 milione), ndersa fitimi neto eshte 33 milione euro (vjet ishte 23,8 milione). Gjithsej, rekordmenet kane 426,4 milione euro ne llogarine e tyre personale. Keto para jane fituar per vite te tera, sa here klubi ka dale me bilanc pozitiv.

Kur erdhi radha e shefit ekzekutiv te Bayern-it, Karl-Heinz Rummenigge, Kongresi mori nje vrull krejt tjeter. Emocionet, duartrokitjet dhe brohoritjet ngazellyese te te pranishmeve pushtuan sallen e madhe. Fillimisht numri 2 i klubit falenderoi drejtorin e marredhenieve me publikun dhe mediet, Markus Hörwick, pa harruar ish-trajnerin Pep Guardiola. Arsyeja pse ai i lidhi keto dy emra eshte se sipas tij sezoni i kaluar ishte viti i zi i medies, per menyren se si eshte trajtuar Pep.

“Markus eshte fantastik, faleminderit per punen tende! Per lojtaret dhe trajnerin ne vitin e kaluar futbollistik jap vleresim me noten 10. Sezoni qe lame pas ishte si ‘Brexit’ ne Angli per medien, nje vit i zi. Guardiola, ndryshe nga sa eshte shkruar ne shtyp, ka punuar shkelqyeshem dhe eshte i mirepritur ketu kurdohere”, – u shpreh Rummenigge, i cili me pas shprehu besimin e plote per trajnerin aktual te skuadres, Carlo Ancelotti.

“Carlo, ke besimin tone te plote, sepse ketu eshte ndryshe, jo si tek ish-skuadrat e tua. Ketu luftojme te gjithe per nje dhe nje per te gjithe! Ne kampionat jemi mesuar te jemi ‘preja’. Tani jemi ‘gjahtari’. Te sulmojme per kreun!” – u shpreh me tej 61-vjeçari.

Fjalimi i Hoeness nuk qe lodhes. Perkundrazi, ne nente minuta ai u shfaq krejtesisht i hapur perpara drejtuesve, tifozeve, gazetareve dhe fotografeve. Ishte çasti i madh i rikthimit te tij.

“Perpara dy viteve e gjysme qendroja ketu, pa e ditur se çfare do te ndodhte me mua. Sot jam serish ketu dhe per kete duhet te falenderoj gruan time – e cila ka luftuar si nje luaneshe – femijet, kunatin dhe niperit e mi. Me pas duhet te falenderoj dhe familjen tjeter qe kam, Bayern-in. Kur Karl Hopfner u zgjodh president, nuk e dija nese duhet te vija ne mbledhje. Sapo isha terhequr per shkak te problemeve me taksat. Mbeshtetja qe mora me pershkoi te terin. Per sa kohe isha ne burg, kjo me dha force. Kam marre 5500 letra. Shpesh kam qare si femije, sepse njerez totalisht te panjohur me shkruanin dhe me jepnin force. Ishte nje force qe me ndihmoi te kaloja periudhen e veshtire. Kam bere çdo gje si duhet. Taksat i kam paguar deri ne centin e fundit dhe ia dola te shlyej denimin ne gjysmen e tij per shkak te sjelljes se mire, diçka qe ne Bavari nuk arrihet lehte. Sot jam ketu. Jam i lumtur qe bordi drejtues votoi unanimisht per te me kandiduar per president te ketij klubi fantastik. Sot ju lutem per nje shans dhe ju premtoj se do bej çdo gje per te permbushur pritshmerite tuaja. Edhe nese do me duhet te punoj shtate dite pa pushim, do e bej. Gruaja ime do te me mirekuptoje. Dua te jem nje nderlidhes i juaj me skuadren, i klubit me kryesine. Dua te jem nje kujdestar, nje keshillues per te gjithe punetoret, per lojtaret. Te jem aty kurdo kur ata te kene nevoje. Edhe trajneret mund te vijne te me takojne. Ky ekip me ka ridhene force. Nuk e kam humbur aftesine per t’i thene gjerat ne menyre te drejtperdrejte. Ju lutem te me jepni besimin tuaj duke votuar per mua!” – u shpreh “Papa Uli”.