Ritakim buzë liqenit me artisten Edlira Dedja

Në qytet-shtetin zviceran të Neuchatelit, i njohur për liqenin me shtrirje të gjatë dhe të dytin për nga madhësia në Zvicër, Muzeun Etnografik, Olimipiadën e dansit për të rinj e burimet e shumta ujore, çdo fundjavë zhvillohen ngjarje sociale e artistike.

Gjithashtu në fundjavë pedonalja dhe qendra e qytetit kthehet në një banket të stërgjatë për të gjithë banorët dhe turistët e këtij qyteti, ku shndrisin çatitë e kështjellave të dikurshme, të cilat e rrethojnë këtë qytet.

Edlira Dedjan, pianisten shqiptare dhe ish deputeten e parlamentit kantonal të Njushatelit (Neuchatel) e takuam surprizë, pasi erdhëm dhe e pritëm buzë liqenit për një shëtitje, sepse ecja në këmbë ishte akoma në modë atje, jo vetëm për politikanët, por të gjithë vendasit të cilët jetojnë çdo ditë sikur do të rronin edhe 1000 vjet. 

Dalogimi me Edlirën, bijën e akademikut Bedri Dedja, mbetet një pasurim në vlera kulturore e njerëzore. Ajo po ripunonte në shtëpinë e saj, disa vepra të atit të si dijetar dhe shkrimtar në modelin më të mirë të mundshëm. Njëra ishte vepër mbi Sekretin e talentit” (1998), e cila edhe sot tingëllon në modernitet, kurse vepra tjetër në rrafshin e letërsisë për fëmijë pritet të publikohet e përkthyer në rumanisht për një publik më të gjerë se hapësira shqiptare. 

Ajo në simbiozë me vendin dhe njerëzit për të cilët ka kontribuar edhe me shoqërinë civile përmes ndihmave humanitare e koncerteve falas nga artistë të njohur shqiptarë të operas, na tregoi për iniciativën e saj të heqjes së rrjetit ajror wireless falas të internetit, falë insistimit të saj në mbrojtje të fëmijëve me probleme shëndetsore e talente të veçanta. Për ironi të fatit, kjo gjë kaq e dobishme duket se na kushtoi disa orë vonesë për të takuar Edlirën, në qytetin e Neuchatelit, sepse nuk patëm impulse në celular si çdo vizitor që vjen në një vend të huaj të Bashkimit Europian, por nga ana tjetër, na bëri ta vlerësojmë më mirë piknikun në çift tek stolat në parkun botanik e publik të këtij kantoni. 

Muzeu dhe Akademia e Arteve të Bukura ishin në festën e ditës së Muzeumeve të hapura falas për publikun me pjesmarrje nga artistë bashkohorë të cilët prezantonin risi me punimet e tyre.

Duke ecur nëpër rrugët e këtij qyteti të vjetër, ndjenim sesi një vijë uji në sinkron me shumë burime të pastra natyrore, përshkonte bulevardin e të krijonte pamjen e një përroi në miniaturë. 

Patëm fatin të përshëndetemi në ikje nga një orkestër e tërë, banda frymore e kantonit e cila dukej sikur ishte e organizuar posaçërisht për ne si vizitorë të kulturës. Në fund të lojës muzikore dirigjenti i grupit na u drejtua me fjalët:

“Në asnjë çast të jetës mos u dekurajoni, por në të gjitha gjërat të cilat bëni tregoni besimin tuaj tek Absoluti, me lutje e këmbëngulje si edhe veprime mirësie. E Paqja e Zotit, e cila i tejkalon të gjitha inteligjencat, do të jetë fituese brenda zemrave tuaja!” 

Video intervista me znj. Edlira Dedja drejtuese e fondacionit Opera pa kufij, ish deputete e kantonit të Neuchatelit, përkthyese zyrtare, pianiste:

Nga Andi Bica, Beti Kumi