Rusi 2018. Argjentina pothuajse jashtë. Kualifikohen Franca dhe Kroacia

Të gjithë prisnin një reagim krenarie dhe kthese nga ana e Argjentinës, por Messi me shokë zhgënjyen sërish në katërkëndëshin e blertë dhe tani kanë vënë në rrezik total kalimin e grupeve.

Në sfidën e dytë të grupit, kombëtarja albiçeleste u mposht nga Kroacia me rezultatin e pastër 3-0, me ballkanasit që tashmë sigurojnë kalimin për në fazën e 1/8-ave. Pjesa e parë kishte shumë ritëm, me Kroacinë që vraponte shumë, mbyllte hapësirat dhe kundërsulmonte rrezikshëm. Për tej rasteve të krijuara, 45 minutat e para u mbyllën në barazim pa gola.

Në fillim të pjesës së dytë ishte portieri Caballero që bëri një gafë të madhe gjatë largimit të topit, duke ia dhuruar atë Ante Rebiçit, që me qetësi gjuajti bukur dhe kaloi kroatët në avantazh.

Trajneri i Argjentinës nuk mund të pajtohej me humbjen dhe hedh në fushë dyshen e Juventusit Higuain-Dybala, por golin e shënon sërish Kroacia. Një top i rikuperuar nga Perisiç dhe Brozoviç, bëri që mesfushori i Interit të shërbente për Modriç dhe kapiteni gjuajti nga rreth 20 metra distancë, duke shënuar edhe golin e dytë, kur kishin mbetur edhe 10 minuta lojë.

 

 

Në minutën e 92-të ishin sërish kroatët, që pas një kundërsulmi të shpejtë gjetën edhe golin e tretë, të shënuar nga mesfushori që luan në një skuadër me Messin, Ivan Rakitiç.

Përfundon 3-0 dhe tashmë Argjentinës jo vetëm që i duhet patjetër fitorja në ndeshjen e fundit ndaj Nigerisë, por duhet edhe të shpresojë që Islanda të mos marrë fitore në dy takimet e radhës.

Më herët në grupin C Franca siguroi kualifikimin për më tej, pasi mposhti me rezultatin minimal 1-0 Perunë. Ishte ylli i PSG-së, Kylian Mbappe ai që shënoi golin e vetëm të takimit, duke nxjerrë jashtë kompeticionit amerikano-jugorët dhe çuar në 1/8-at “gjelat”.

Po në grupin C, Danimarka dhe Australia u ndanë në barazim 1-1, në rezultat që i shkon më shumë për shtat skandinavëve, që tashmë e shohin veten në kuotën e 4 pikëve dhe kanë nevojë për një barazim në ndeshjen e fundit ndaj Francës, për t’u kualifikuar.

Danimarka kaloi e para në avantazh, pas golit të shënuar nga Eriksen në minutën e 7, ndërsa për australianët barazoi Jedinak në të 38-ën, pas nëj penalltie të akorduar me ndihmën e VAR-it.