Rusi 2018. Messi zhgënjen. Franca nuk bind po fiton. Danimarka dhe Kroacia bëjnë detyrën

Franca dhe VAR

Konsiderohet si nga favoritet e mëdha për të fituar Kupën e Botës Rusi 2018, por në ndeshjen hapëse, Franca nuk bindi aspak duke mposhtur me shumë fat 2-1 Australinë. Në Kazan Griezmann me shokë ishin shumë të paqartë në lojën e tyre me Socceros që për pak sa nuk i rrëmbyen një pikë Francës në debutimin e saj në Botëror. Në minutat e para Les Blues u shfaqën disi më mirë duke iu afruar golit me Mbappe e Griezmann, por me kalimin e minutave edhe Australia filloi të shikonte nga porta e francezëve teksa në më shumë se 1 rast u desh ndërhyrja e Lloris për të evituar golin e formacionit të Bert Van Marwijk.

Në minutën e 57-të gjyqtari uruguaian Cunha i ndihmuar edhe nga sistemi VAR, akordoi 11-metërsh për francezët, penallti të cilën Griezmann e kthehu në gol, por festa e Didier Deschamps në stol zgjati fare pak sepse pas 4 minutash Australia barazoi shifrat. Umtiti bëri një gafë të rëndë duke prekur topin me dorë brenda zone, dhe gjyqtari nuk kishte dyshim duke akorduar një tjetër 11-metërsh këtë herë për australianët. Kapiteni Jedinak mposhti Lloris duke barazuar shifrat. Goli i fitores për francezët u realizua nga Pogba në minutën e 81-të. Një goditje pa shumë pretendime e mesfushorit të Manchester United u devijua nga Behich me topin që preku traversën dhe më pas kaloi vijën fatale. Me këtë fitore Franca u ngjit në krye të grupit C, në kuotën e 3 pikëve.

 

 

Një penallti e humbur nga Messi që mund të kushtojë shumë

Nëse te Barcelona shkëlqen prej vitesh, Lionel Messi nuk po arrin të bëjë të njëjtën gjë te Argjentina, që nisi aventurën e saj në Kupën e Botës “Rusi 2018”, me një barazim ndaj Islandës.

Argjentina e nisi me mjaft entuziazëm takimin dhe gjeti golin e avantazhit në minutën e 19, me anë të sulmuesit Sergio Aguero, që pasi u shërbye në zonë nga Rojo, u rrotullua bukur dhe gjeti trekëndëshin e portës së kundërshtarëve. Islanda reagoi menjëherë dhe arriti të rikthejë baraspeshën pas vetëm 4 minutash, pasi në të 23-tën ishte Finnbogason, që pas një rrëmuje në zonë, gjuajti dhe dërgoi topin në rrjetë.

Me barazimin 1-1 përfundoi pjesa e parë, ndërsa në 45-minutat e dyta Argjentina e shtoi presionin, në kërkim të golit të fitores. Rastin më të mirë e pati Lionel Messi, në minutën e 64-t, por ylli i Barcelonës humbi penalltinë përballë portierit islandez, Halldorsson. Kapiteni i Argjentinës tentoi edhe në disa raste të tjera, që të gjejë golin, por nuk arriti të gjejë rrjetën e portës islandeze, duke bërë që sfida të përfundojë në barazim.

Danimarka mposht Peru-në që luajti më mirë

Danimarka arriti të mposhtë me rezultatin minimal 1-0 Perunë dhe t’i bashkohet Francës në krye të grupit C. Ishte një gol i shënuar nga Yousouf Poulsen në minutën e 58’, që i dha fitoren danezëve, ndërsa, Peruja nuk ia doli të ndryshojë shifrat e rezultatit në minutat e mbetura.

Amerikano-jugorët patën mundësinë më të mirë për të kaluar në avantazh, në minutat shtesë të pjesës së parë, kur fituan një 11-metërsh të akorduar me ndihmën e VAR-it.

Gjithsesi fantazisti Cueva goditi keq, duke dërguar topin mbi portën e mbrojtur nga Kasper Schmaichel dhe duke “shkelmuar” mundësinë për ta mbyllur pjesën e parë në avantazh.

Një autogol dhe Modric i mjaftojnë Kroacisë

Kroacia e ka nisur me këmbën e mbarë botërorin “Rusi 21018”, teksa mposhti në sfidën e parë Nigerinë, me rezultatin e pastër 2-0. Skuadra e drejtuar nga tekniku Zlatko Daliç ishte më kërkuese në fushën e lojës dhe arriti të marrë 3 pikët e njëkohësisht kryesimin e grupit D.

Goli i parë u shënua nga Etebo, që devijoi në portën e tij një top të gjuajtur me kokë nga sulmuesi i Juventusit, Mario Mandzukiç, kur kronometri shënonte minutën e 32-të.

Në pjesën e dytë, ishte sërish Mandzukiç që fitoi një 11-metërsh, të cilin e shndërroi në rrjetë mesfushori dhe kapiteni Luca Modriç. Ky ishte një start ideal për Kroacinë, që ndeshjen e radhës do ta luajë me Argjentinën në 21 Qershor dhe shkon në atë sfidë si kryesuese grupi.