Rusi 2018. Shansi i fundit për Lionel Messi dhe Argjentinën e tij

Dita e 8-të e Botërorit sjell në skenë dy nga skuadrat favorite për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni, pa harruar Kroacinë që nuk ka petkun e favorites por është një skuadër me një potencial të jashtëzakonshëm. Sot është dita e Francës dhe Argjentinës që të dyja sëbashku numërojnë 3 Kupa Bote. Megjithatë e enjta do të hapet me duelin e Cosmos Arena në Samara mes Danimarkës dhe Australisë. Të dyja kombëtaret vinë me humor të ndryshëm në këtë sfidë edhe pse Australia pavarsisht humbjes ndaj Francës në sfidën debutuese zhvilloi një lojë shumë të mirë duke vënë në vështirësi një nga përfaqësueset më të forta në botë.

 

 

Nordikët të frymëzuar nga ylli i skuadrës Cristian Eriksen do të synojnë fitoren e dytë në grup pas asaj ndaj Perusë që do t’i kualifikonte në fazën tjetër. Ndërkohë që Australia ka si objektiv të marrë pikët e para dhe t’i bëjë një surprizë të hidhur Danimarkës. Në orën 17:00 do të jetë radha e Francës që do të sfidojë Perunë në Central Stadium në Yaketerinburg, për të mbyllur çështjen e kualifikimit.

Gjelat nuk bindën aspak në ndeshjen hapëse ndaj Australisë dhe sot do të kërkojnë të ndryshojnë mënyrën e tyre të lojës. Pritet më shumë nga treshja sulmuese Dembele-Griezmann-Mbappe por edhe nga mesfushorët Pogba e Tolisso. Te Peruja pritet ta nisë që nga fillimi ndeshjen kapiteni Paolo Guerrero, me amerikano-jugorët që do të synojnë të mos dalin pa pikë nga kjo sfidë për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit.

Në mbrëmje në orën 20:00 në Ninzhy Novgorod Stadium Argjentina pas barazimit zhgënjyes me Islandën në ndeshjen hapëse do të masë forcat me rivalen më të fortë në grupin D, Kroacinë. Për Messin i cili humbi një penallti ndaj ishullorëve por edhe për pjesën tjetër të skuadrës gabimet nuk lejohen më pasi një humbje ndaj kroatëve mund edhe t’i nxirrte jashtë Kupës së Botës, amerikano-jugorët. Jorge Sampaoli pritet të bëjë disa ndryshime të vogla në formacion krahasuar me ndeshjen e parë, ndërkohë që Dalic është më i qetë dhe pasi dërgoi në shtëpi sulmuesin e Milanit Kalinic, është gjithashtu i sigurtë në zgjedhjet e tij. Rakitic, Modric, Perisic e Mandzukic është kjo 4-shja tek e cila varen të gjitha shpresat e ballkanasve për të bërë historinë në këtë Kupë Bote. Kroacia me një fitore sot do të kualifikohej edhe matematikisht në raundin tjetër.