Rusi 2018. Sot në fushë zbresin Messi dhe favoritët e Francës

E shtuna do të jetë dita e Lionel Messi por edhe e një prej kombëtareve favorite për të triumfuar në Botërorin Rusi 2018. Në orën 12:00 Franca e Didier Deschamps do të sfidojë Australinë që në këtë Kupë Bote vjen pa shumë pretendime dhe një trajner të ri në stol siç është holandezi Bert Van Marwijk. Franca është padiskutim skuadra më e shtrenjtë nga të gjitha përfaqësueset që marrin pjesë në Botëror përsa i përket vlerës së futbollistëve në merkato, por emra të tillë si Griezmman, Mbappe, Dembele e Pogba duhet ta tregojnë në fushën e blertë sesa vlejnë dhe të marrin blutë për dore drejt titullit të dytë Botëror.

Përballja e fundit direkte mes Francës dhe Australisë përfundoi me një fitore të thellë me shifrat 6-0 të gjelave, megjithatë bilanci mes tyre në fushë asnjanëse është në baraspeshë totale me një nga 1 fitore 1-0 për secilën skuadër. Në Kazan Arena gjithsesi parashikohet një fitore e lehtë për francezët të cilët kanë një objektiv të vetëm ta mbyllin grupin C në vendin e parë.

 

 

Sfida tjetër e këtij grupi është ajo mes Perusë dhe Danimarkës dy skuadrave që do të ndeshen sot në orën 18:00 në Mordovia Arena në qytetin e Saranskut. Kjo sfidë mund të vlejë edhe vendin e dytë në këtë grup sepse me Francën favorite të treja skuadrat e tjera përfshirë edhe Australinë luftojnë për pozicionin e fundit të kualifikon në fazën tjetër. Perusë i është kthyer në dispozicion lideri i saj kapiteni Paolo Guerrero i cili do të bëjë çmos për të gjetur rrugën e rrjetës edhe në Botëror, ndërkohë që Danimarka i ka dorëzuar çelësat e skuadrës mesfushorit të Tottenham Cristian Eriksen i cili do të jetë lideri i skuadrës në fushë gjatë këtij Botërori.

Në orën 15:00 do të luhet edhe ndeshja e parë e grupit D. Do të bëjë debutimin e tij në këtë Botëror Lionel me Argjentinën që do të sfidojë surprizën që mban emrin Islandë në Moskë. Ky është Botërori i 12-të rresht që merr pjesë La Selecion, ndërsa përfaqësuesja ishullore debuton në një kompeticion të tillë. Me treshen Messi-Di Maria-Aguero përpara, Argjentina do të synojë fitoren për të hedhur një hap të sigurtë drejt fazës tjetër. Në mbrëmje do të luhet edhe takimi i 4-ët i ditës ai mes Kroacisë dhe Nigerisë. Ky është shansi i fundit për të lenë shenjë në një Kupë Bote për emra të rëndësishëm të futbollit kroat si Luka Modric, Mario Mandzukic, Ivan Rakitic e Ivan Perisic. Kroacia është favorite në këtë ndeshje por edhe për të kaluar grupin D, aty ku parashikohet të rivalizojë me Argjentinën për vendin e parë.