Shehi për Topallin: Veproi si ti zbresësh kalit në mes të lumit!

 

I ftuar mbrëmjen e së premtes në emisionin “Kapital” të gazetarit Aleksandër Furxhi në Vizion Plus, politikani dhe kandidati në listat e PD-së, Dashamir Shehi ka analizuar komentet dhe lëvizjen e ish deputetes së Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, e cila kërkoi dorëheqjen e Lulzim Bashës, pas mospërfshirjes së saj në listat zgjedhore të PD. Shehi ka komentuar:

“Kam shumë respekt për zonjën Topalli, por ka gjetur një moment jo shumë oportun për të filluar betejën e demokratizimit të PD-së. Mund ta kishte filluar me muaj përpara, me vite përpara. PD-ja gjithmonë ka pasur probleme, nuk ka qenë ndonjë hapsirë shumë e madhe demokratike, me thënë të drejtën dhe më vjen keq që e them këtë gjë sepse nga PD-ja kam dale, për PD po kontribuoj dhe sot, por nuk më duket që është momenti për një zonjë serioze që merret me politikë, që ditën që shpallen zgjedhjet kërkon të shkarkohet kryetari. Kjo është ti zbresësh kalit në mes të lumit edhe më vjen keq për moshën që ka nuk duhet të mbërrinte në një gjest kaq të rëndomtë politik me inatin personal…

Mbarojnë zgjedhjet në datën 25-së, vjen Shtatori dhe hajde të diskutojmë gjerë dhe gjatë, gjë që se ka bërë prej vitesh. Nuk e ka bërë këtë që kam bërë unë dhe kolegët e mi, për të kërkuar demokracinë brenda PD-së.”

Dashamir Shehi analizoi gjithashtu dhe lëvizjet e fundit të Partisë Demokratike, pas vendimit për pjesëmarrje në zgjedhje, pas marrëveshjes me PS dhe shpalljen e listave. Gjithashtu Shehi analizoi dhe lëvizjet e fundit të kreut të opozitës, Basha për ndryshimet dhe risitë në PD dhe prezantimin e platformës së tij për Republikën e Re.

“Unë e di që ajo listë nuk është perfekte, e di që PD nga brenda nuk është ajo katedralja e kristaltë e lirisë dhe e demokracisë, është një parti shqiptare me gjithë kusuret e saj. Do t’i kujtoj një gjë shqiptarëve. Ky djaloshi i ri, Zoti Basha ka marrë një gjest të madh politik, një sfidë të madhe, të rinovojë PD dhe politikën shqiptare në përgjithësi. Ka bërë një akt që brenda mund të ketë edhe element padrejtësie, dhune politike, mund të prodhojë dhe pakënaqësi, por duhen kurajo për t’u bërë ca gjëra të reja.

Gjithmonë jemi ankuar s’po ndodh gjë dhe ska rinovim. Ditën që e merr me kurajo njëri duke riskuar edhe karrierën e vetë, edhe emrin e vetë, e ka bërë si sfidë personale, i turren. Koha do ta tregojë, këto ditë që janë të fushatës, rezultati zgjedhor, nëse ka bërë një veprim të mirë apo të keq.”