“Shqiponjat” helvete nuk arrijnë të fluturojnë. Forsberg i dhuron Suedisë ëndrrën

“Shqiponjat” e Zvicrës nuk ia dalin përballë Suedisë. Shaqiri, Xhaka, Behrami dhe Xhemaili, të katër titullarë ndaj nordikëve në përballjen e fazës së 1/8-ave të Botërorit nuk mundën të ishin vendimtarë për përfaqësuesen helvete, që u mposht 1-0 falë golit të Forsberg në minutën e 65-të.

Zvicra tentoi të merrte iniciativën gjatë pjesës së parë, por ishin suedezët ata që iu afruan më shumë golit dy herë me Berg dhe me Lusting, ndërsa për zvicëranët në këtë pjesë Xhemaili ishte i pafat kur goditja e tij brenda zonës përfundoi jashtë.

I pafat edhe portieri Sommer në pjesën e dytë, me goditjen e Forsberg, që pasi u devijua nga mbrojtja, përfundoi në rrjetë.

Zvicra tentoi gjithçka për kthyer rezultatin por rezultati nuk ndryshoi më, madje në kohën shtesë Lang u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrje si lojtar i fundit. Fillimisht Skomina akordoi 11-metërsh, por pasi u konsultua me sistemin VAR dha goditje të lirë thuasje mbi vijën e 16-metrave. Sapo u ekzekutua goditja, që u prit nga Sommer, kryesori vërshëlleu për përfundimin e takimit.