Skënderbeu – Partizani supersfida e javës së parë në Superiore

Nis menjëherë me fishekzjarre. Një Skënderbeu – Partizani për ta filluar menunë e kampionatit me pjatën e fortë të rivalitetit të këtyre viteve të fundit. Nuk është kurrë një ndeshje dosido, luftë frontale në të dyja, me Skënderbeu përfaqësues të hegjemonisë së kësaj dekade dhe Partizani sfidantin e përhershëm për t’i rrëmbyer fronin.

 

 

Pas derbit të kryeqytetit është ndoshta sfida me më shumë rivalitet e kampionatit, me lejen e Kukësit që gjithsesi nuk ka prodhuar aq shumë shkëndija si në përballjet me korçarët ashtu dhe me Partizani.

Skënderbeu-Partizani është luftë në fushë e jashtë saj, 3 vite më parë të kuqtë humbisnin titullin vetëm në javën e fundit dhe që atëherë akuzat e shigjetat kanë fluturuar pa kursim ndërmjet të dyja kampeve, pretendime për favorizime arbitrale e deri te teoritë konspirative për letra në Uefa kundër rivalve, tone që janë reflektuar edhe në tribuna me prezencën, koret, banderolat e kunjat e ndërsjellta ndërmjet ujqerve e Guerils.

 

 

Episodet në fushë të panumërta, në një Skënderbeu-Partizani askush nuk e tërheq këmbën pas, është një ndeshje që vlen shumë edhe kur llogaritë e kampionatit janë të mbyllura, mjafton të kujtosh atë barazim 2-2 në javën e fundit të sezonit 2016-2017,  kur takimi vlente për simbolikën por u shndërrua në një betejë të luftuar me gola e spektakël. Këtë herë vijnë përballë që në sfidën e parë, një Skënderbe i riformatuar që synon të ruajë hegjemoninë e vendosur në këto vite, me të kuqtë më të etur se kurrë për të treguar se ky është viti i tyre, në mes si gjithmonë shumë prestigj, inate e ambicie, në fund gjithmonë vlen rezultati, fusha që thotë fjalën e saj në premierën e ndezur të këtij kampionati.