“SONATA E HËNËS” PËRKUNDET NË PORTRETET E AKADEMIKËVE

 

Drita e artistëve pamorë erdhi në Portat e “Oxhakut kombëtar të Dijes” në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Portretet e Dritëro Agollit, Bedri Dedes, Petraq Radovickës, Eqrem Çabejt e shumë akademikëve të njohur ftuan në një ngjarje festive familjarët e miqtë të nderuarve si ekselenca mes profesionistëve.

Ndalesa te portreti rrezatues i Akademikut të Psikologjisë Moderne shqiptare dhe krijuesit të botërave në Letërsinë për fëmijë Bedri Dedes zgjon një tjetër tingull.

Drita në pikturën e Adrian Devollit, e shpaluar në përshkallëzimin e toneve e gjysëm toneve të ngjyrave të ftohta e njollave mbi telajo solli një vibracion shpirtëror te qëndrimi meditativ i shkrimtarit e psikologut të njohur e të dashur për njerëzit në tre kohë.

E bija në art e Bedri Dedes, pianistja dhe politikania e vlerësuar në Zvicër Edlira Dedja, rivlerësoi kthimin e vizitës miqësore në shtëpinë e saj të dytë, Akademinë e Shkencave me vendosjen e portretit mes shumë portreteve të njerëzve të ndriçuar si një amanet të kryer me dinjitet e një formë më të lart si pamorarti.

E veçanta e takimit të realizuar si përurim i Koleksionit të portreteve të akademikëve shqiptarë nga piktorët Ardian Devolli, Maks Vel , Leon Çika, Nikolin Ivanaj, Sara Doda, Aleksandër Filipi, Dulejman Topallaj, Endri Myrtaj e Elton Luarasi e skulptorët si Qazim Arifi ishte fjala e Muzikologut Vaso Tole duke i dhënë rëndësi veprave të cilat peshojnë në vlerë më shumë se thesaret te njerëzit e mirë , të dijshëm e të dobishëm.

Akti surprizë i dhurimit të një pianoje të re për Akademinë e Shkencave nga dy familje amerikane nga Dallasi i Teksasit me lojën përshëndetës të pianistes Elida Dakoli ishte një befasi për publikun e zgjedhur.

Eklipset e përskuqura të cilat po përjetojnë bashkombasit e bashkështetasit këto ditë të nxehta vere në mijëvjeçarin e tretë, kthimi te vlerat njerëzore në post komunizmin e tejzgjatur, duket se merr një sinjal pozitiv nga shtëpia e dijes përmes afrimit e vlerësimit me dashuri të familjeve të shkencëtarëve për veprat e mira të Etërve drejt sfidave si programi i zhvillimit kombëtar e identitetit përmes gjuhës shqipe.

Nga Andi Bica, Beti Kumi