Të vërtetat e piktorit tiranas Serxho Petrela, “Lulet” dhe “Rrugicat e kryeqytetit”

*Artikull nga Andi Bica dhe Beti Kumi

Serxho Petrela, një piktor i cili tanimë e ka krijuar profilin e tij individual me punimet në telajo, vijon të na sjellë motivet jetësore brenda kuadrateve të realizuara.

E veçanta e Petrelës në artin pamor është ndjeshmëria që ai bart në brendinë e vet, të cilën e shpalos me shumë pigment gjallues mbi sipërfaqe piktorike. Tek punët e tij në motivet e Luleve dallohet ekspresioni i lëvizjes së formave, larmia e ngjyrave të jetshme si edhe strukturat e vijëzimeve të realizuara duke i dhënë pikturës mbylljen e filtruar të saj.

Emetimi i energjive që shpërndan nga vetja tek shikuesi bën që punimet e tij të komunikohen lehtësisht duke u prekur me aromat, ngjyrat e format e tyre natyrale.

Kthehemi tek peisazhet tipike të vendlindjes, në “Rrugicat e Tiranës” . Duke u nisur nga realiteti i jetuar prej tij, në filmin e shtrirë të kujtesës, Serxho e pasuron me fantazinë krijuese si edhe kërkimin që ai vijon brenda vetvetes, për të na sjellë mbi telajo copëza shpirti, që gjithsecilit i lëvizin memorien emocionale të breznive.

Paraqitja e njeriut tek punët e tij, sado simbolik, në praninë e pakët e jetëson e i dhuron limfë natyrës së një Tirane idilike.

Përsa i takon përmasimit të njeriut në raport me mjedisin, ai e shikon herë me gravitet të lartë e herë të lehtë në ecejake, duke ritmuar brenda kuadratit, me këtë disproporcion të ekuilibruar sipas dëshirës së piktorit. Kjo na kujton parimin se arti i vërtetë shkon në kah të kundërt me natyrën, megjithë ndërthurjet e njëri tjetrit. (Piktori e sheh njeriun i distancuar nga larg, si pjesë e peizazhit në modelin e pikturës ilustruese në artin dekorativ islam, kurse tek përmasat e personazheve të tij në miniaturë ashtu si në fillimet e artit bizantin nuk zbatohet perspektiva, por rëndësia subjektive e vetë realizuesit.)

Tek cikli vijues i “Rrugicave të Tiranës”, shihen detaje përfaqësuese të qytetit, si dyert e vjetra prej druri, avllitë rrethuese me tullat e lyera me të bardha, vende vende të gërryera nga koha, blerimi i pemishteve kacavjerrëse, shtyllat elektrike të shtrembëruara, çatitë tradicionale me oxhakët tymues, tendat e shtrira të dyqaneve me emërtesat e njohura të dikurshme si byrek, mëngjezore, birrari, ushqimore, tabela që evokojnë një pjesë të bukur të së kaluarës së përbashkët.

Ngjyrat tek peisazhi urban kryeqytetas vijnë të forta, mbizotërojnë njollat e ftohta, por godasin në këtë tërësi herë e verdha e dritshme diellore, herë e kuqja e përflakur në zjarrin veror me tonalitetin e brendshëm pasional, e herë jeshilja si kulmi i një teqeje të moçme sipas gjurmëve nga realiteti i përpunuar i njeriut krijues. Në këtë mënyrë autori hedh dritë, duke ndalur kohën tek disa objekte të itinerarit njerëzor.

Raporti grafik edhe tek punët e Petrelës është i lirë në kompozim duke shpërndarë të errëtat e të çeltat, me sistemin e dendur të vijëzimeve, piktori arrin të krijojë mjeshtërisht baraspeshën në imazhet e sjella tek këto prurje. E ndiejmë këtë drejtpeshim si në ciklet e “Luleve” po ashtu tek peisazhet e “Rrugicave të Tiranës”.

Piktori Petrela pëlqen të komunikohet me gjuhë të thjeshtë vizuale me publikun. Por shtegu për të mbërritur deri në këto limite dhe për ta ruajtur këtë kualitet të zgjedhur, nuk është i rrafshët. Piktori dallohet nga të tjerët për qëndrimin besnik ndaj “emrit të vetvetes”, duke qëndruar i lidhur shpirtërisht me truallin e të parëve. Serxho në dinjitet ndaj zejes artistike që zhvillon me lindjen e diellit e deri në perëndimin e frymëzuar, asnjëherë nuk është i njëjtë në interpretimet e reja, brenda dritareve të tij nga e kundron jetën. Ai ruan diçka të pandryshuar në kohë, tharmin e disa vlerave që i japin më shumë vërtetësi pikturave të tij.