Thomas Strakosha vlen 40 milionë Euro. PSG çmenduri për Kante

Lotito vendos çmimin për Strakosha

Thomas Strakosha nuk do të largohet nga Lazio për më pak se 40 milionë euro. Është ky çmimi që kanë fiksuar presidenti i Lazios Claudio Lotito dhe drejtori sportiv Igli Tare për të lënë të lirë portierin shqiptar i cili shkëlqeu në sezonin e fundit me bardhekaltrit. Liverpooli dhe Bayer Leverkusen janë dy klubet që kanë shfaqur më shumë interes për 23-vjeçarin kuqezi por 30 milionë eurot e ofruara nuk mjaftojnë për të blerë kartonin e Strakoshës. Sipas Sport Italias, kryeqytetasit kërkojnë minimalisht 40 milionë euro për të lejuar largimin e gardianit të kombëtares shqiptare.

 

Çmenduri për Kante

Mediat angleze shkruajnë se Paris Saint-Germain është gati të ofrojë deri në 90 milionë paund për të arritur te mesfushori i Chelsea, N’Golo Kante. Kampionët e Ligue 1 shikojnë te francezi përforëcimin ideal për mesfushën ndaj dhe janë të gatshëm të bëjnë çmendurira për ish-lojtarin e Leicester. N’Golo Kante është në vitin e tretë të një marrëveshje 5-vjeçare me Blutë e Londrës, ndërkohë që e ardhmja e tij varet edhe nga emri i teknikut që do të drejtojë skuadrën vitin e ardhshëm.