Uefa Europa League. Vetem Laçi ia del. Partizani dhe Luftëtari të eleminuar

Laçi ia doli të mbajë lart nderin e skuadrave shqiptare në Europa League, teksa eliminoi skuadrën qipriote të Anorthosis Famagustas. Bardhezinjtë u mposhtën 2-1 me për mbysje në Qipro, por arritën të rikthejnë gjithçka në favorin e vet, në sfidën e kthimit, të luajtur në Laç.

Pjesa e parë e ndeshjes në Laç ishte e qetë, me qipriotët që qarkullonin topin dhe vendasit që mbroheshin me forca të shumta, duke mbajtur barazimin pa gola. Skuadra e drejtuar nga trajneri Prenga u zgjua rreth minutës së 60’ dhe filloi të kërkojë golin në mënyrë konstante, duke krijuar disa raste të rrezikshme.

Gjithsesi goli erdhi në minutën e 89’, ku pas një aksioni nga krahu i djathtë i sulmit, Sefgjini krosoi në zonë dhe Myrto Uzuni devijoi topin në rrjetë, duke shënuar golin e kualifikimit. Pesë minutat shtesë të akorduara nga gjyqtari nuk sollën asgjë të re, pasi laçjanët ngritën edhe njëherë gardhin para portës së Selmanit, duke mos i dhënë mundësi kundërshtarit të shënojë. Kështu Laçi gjen fitoren e parë europiane, në ndeshjen e 12 në histori, pasi deri tani regjistronte 5 barazime dhe 6 humbje, ndërsa kualifikohet për herë të dytë në turin tjetër të Ligës së Europës.

 

 

Partizani nuk arriti të bëjë surprizën në Slloveni, ku u mposht me rezultatin 2-0 nga skuadra e Mariborit dhe i dha lamtumirën aventurës europiane për këtë sezon.

Skuadra e drejtuar nga Skënder Gega humbi 0-1 edhe në “Selman Stërmasi” javën e kaluar, por pikërisht loja e mirë në atë takim, kishte rritur shpresat për një kualifikim të mundshëm të të kuqve.

Gjithsesi në sfidën e sotme në Slloveni, Partizani rezistoi vetëm 31 minuta lojë, kur Dervisevic arriti të kalojë në avantazh vendasit e Mariborit. Duhet theksuar se të kuqtë goditën dy herë traversën, fillimisht me Atandën kur rezultati ishte 0-0 dhe më pas me Abdurrahimin vetëm pak minuta larg fundit.

Goli i dytë për sllovenët u shënua në sekondat e fundit të takimit, nga ana e Tavares, i cili vulosi edhe rezultatin 2-0 dhe kualifikimin me rezultatin total 3-0.

Pas humbjes së turpshme 5-0 në Letoni ndaj Ventspilsit, Luftëtari zhvilloi një tjetër paraqitje për t’u harruar në “Elbasan Arena”, në sfidën që përfundoi në barazim 3-3. Skuadra e drejtuar nga kroati Kostiç kali e para në avantazh me Shkurtajn, por letonezët përmbysën brenda 45-minutëshit të parë.

Reagimi i Luftëtarit erdhi në pjesën e dytë, duke u rikthyer sërish në avantazh, por deri në minutën e 93-të, kur skuadra e Ventspils shënoi golin e tretë dhe vulosi barazimin 3-3.

Kështu Luftëtari i jep lamtumirën Europës që në raundin e parë, në këtë pjesëmarrje historike për gjirokastritët. Ajo që evidentohet, është se ky Luftëtar pëson shumë lehtë golat dhe rreshtohet në mbrojtje si një skuadër amatore.