Valbona, kjo mrekulli Shqiptare qe eshte e bekuar

Lidhur me artikullin:

Nga Rudina Xhunga.

Turizmi e beri Valbonen qyteterim. Turizmi eshte mundesia e saj e vetme per zhvillim. Siç eshte per Shqiperine. Nuk kemi rruge tjeter. Kush nuk e kupton, nuk e do kete vend. Si ai avokati qe i gezohej lirise per te mbjelle hashash dhe korrur para, por jo dot pasuri. As qyteterim, as krenari, as paqe, si ato qe t’i jep vetem nje fundjave Valbone

Rruges per te shkuar ne Valbone, ne nje dite te trishtuar si ajo e Brexit, nje avokat me shpjegon se kjo ngjarje eshte e mire per Shqiperine, sepse, sipas tij, tanime BE nuk do te kete kohe te na vezhgoje e bezdise dhe qetesisht mund te mbjellim hashash e pasurohemi.

Kur arrij ne Valbone, nje mrekulli e natyres, nje bukuri unike, me te cilen mund te mburremi e krenohemi, pa droje se kemi shtuar gje, drejtohem ne hotelin ku kam bere emision, 6 vjet me pare. Por nuk e gjej me. Ne vend te tij, eshte nje kompleks hotelesh, nuk gjej me kapanonin prej druri me pak dhoma, ngjitur Kroit te Valbones, plot gjinkalla, flutura e uje te bekuar, por dy hotele te medha guri, restorantet e medha plot piktura bjeshkesh dhe poezi ne kornize.

Vetem Mirash Lamthi, pronari eshte po i njejti. Asnje kg me teper, me bluze pambuku e duart gjithmone te zena, sa ne kuzhine, sa ne hotel. Me hashash eshte marre, me pyesin shoqeruesit, te ndikuar nga bisedat e mengjesit, duke u habitur nga aq shume ndryshim. Po Mirashi nuk ka nevoje per hashashin. Thesari i tij, eshte te kroi. Nga 10 dhoma, tani ka mundesi te prese 300 vete ne nate, me krevatet ku te ve ne gjume uji dhe ajri.

Çfare ajri! Provo keto dite zhegu te shkosh atje dhe do te me besosh.

Aty afer, eshte zalli ku piktoret vene telajot, ku kuajt ndalojne, si per te pershendetur artistin, ku piqet helli dhe aroma shperndahet ne gjithe luginen. Mirashi, Marku, Ibrahimi, nuk flasin per Brexit, as per politike Tirane, per hashash jo se jo. Flasin per telefonin qe nuk po vjen ne kete cope parajse. Ata shkojne nen nje peme qe i therrasin PTT dhe aty rrine e presin mesazhet per rezervim ne hotel.

Flasin per rrugen qe te çon te trageti dhe eshte cope e te ben cope, kur vjen me makine, ndaj te gjithe vijne nga Gjakova, veç kujt kerkon aventuren, apo te rrezoje guret e veshkave. Marku tregon se qyshkur u be rruga qe te sjell ne Valbone, erdhi dhe fati e mireqenia ne fshat.

Tani ne Valbone nuk ka me njeri papune. Emigracioni eshte i tejkaluar. Nuk ka njeri me mend qe le shtepine, kur nese e hap shtepine dhe pret miq, jeton mire dhe puna sjell pune. Aty çdo shtepi eshte nje bujtine, çdo makine e kale eshte per turistet, çdo i ri eshte nje kamerier, çdo grua nje kuzhiniere, çdo burre, nje guide per ecje deri ne Theth, qe mban 11 km nga Valbona por do 5 ore ne kembe. Na kane thene se do te behet rruga, tregojne, atehere do te bashkohemi e do presim dhe percjellim gjithe boten.

Ata njerez te mrekullueshem qe punojne e nuk qahen kurre, qe bejne mjaltin me te mire te geshtenjave, qe mbledhin çajin me eremire qe ke shijuar, te japin kenaqesi pafund kur i takon dhe i sheh sa jane zhvilluar dhe e kupton se u deshen vetem pak vite, nje rruge dhe siguria se aty s’te ben keq as miza, qe te shnderroheshin nga emigrante ne token te huaj, ne zoter te shtepise se vet dhe bujtesit e nje fundjave nga me fantastiket qe te qellon te provosh.

Ata jane shembulli se nuk ka si shtepia jote, duhet vetem ta kuptosh dhe ta kthesh ne mundesi. Ata bene gjithçka mund te beje nje njeri per shtepine e tij, per fshatin e tij, pa pritur shoqatat e turizmit me listat çarçafe te ankesave, qe nuk japin kurre ide, as ofrojne zgjidhje. Pa pritur as kompanite celulare, qe i kane mbushur pallatet e Tiranes me antena, po nuk shkojne dot, as lart ne veri, as tutje ne jug.

Vetem duke degjuar zerin e ujit, te oreve , te maleve dhe duke besuar te zerat e tokes se te pareve, ju shtruan punes dhe tani nuk kane asgje me pak se ne Zvicer, madje kane me shume. Valbona nuk eshte me fshat. Turizmi e beri Valbonen qyteterim. Turizmi eshte mundesia e saj e vetme per zhvillim. Siç eshte per Shqiperine. Nuk kemi rruge tjeter. Kush nuk e kupton, nuk e do kete vend. Si ai avokati qe i gezohej lirise per te mbjelle hashash dhe korrur para, por jo dot pasuri. As qyteterim, as krenari, as paqe, si ato qe t’i jep vetem nje fundjave Valbone.

/dritare.net