Xhaka dhe Shaqiri mposhtin Serbinë. Brazili bën detyrën. Nigeria fitore shprese për Argjentinën

Zvicra arriti të mposhtë Serbinë me përmbysje në ndeshjen e dytë të grupit E dhe t’i bashkohet Brazilit në krye të renditjes, në kuotën e 4 pikëve. Skuadra ballkanase e nisi mjaft mirë takimin, duke shënuar gol që në minutën e tretë, me anë të sulmuesit Mitroviç dhe duke e mbyllur pjesën e parë në avantazh. Gjithsesi helvetët reaguan në 45-minutëshin e dytë dhe protagonistë u bënë dy futbollistët me origjinë shqiptare, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.

 

 

Fillimisht mesfushori që luan për Arsenalin, shënoi një supergol, me një goditje fantastike nga distanca dhe më pas, në minutën e fundit ishte Xherdan Shaqiri, që pas një sprinti të jashtëzakonshëm, mposhti për herë të dytë portierin e Serbisë dhe i dha fitoren Zvicrës. Që të dy futbollistët nxehën edhe më shumë ambientin në stadium, pasi festuan gjatë duke bërë shqiponjën, që u ngrit të fluturojë edhe në Rusi.

Më herët Brazili mposhti jo pa vështirësi, 2-0 Costa Ricën, falë golave të Coutinhos dhe Neymarit. Seleçao vuajti shumë dhe golin e parë e gjeti vetëm në minutën e parë shtesë, ndërsa ankthi i kualifikimit në Botëror do të vijojë t’i ndjekë deri në ndeshjen e fundit.

 

 

Në Grupin E, Brazili dhe Zvicra kryesojnë grupin me nga 4 pikë, të ndjekur nga Serbia me 3. Helvetët kanë nevojë vetëm për një barazim ndaj Costa Ricës, për t’u kualifikuar, ndërsa Brazili dhe Serbia do të vendosin mes tyre skuadrën e dytë që do të vijojë më tej aventurën në “Rusi 2018”.

Në sfidën e grupit D, Nigeria rindezi edhe njëherë shpresën e Argjentinës për t’u kualifikuar në fazën e 1/8-ave. Përfaqësuesja afrikane mposhti me rezultatin 2-0 Islandën, duke bërë që në këtë grup të ‘përzihen’ kartat dhe kualifikimi të vendoset vetëm në javën e fundit, ndërsa ndryshe nga grupe të tjera, këtu pretendojnë të 3 skuadrat, për të shoqëruar Kroacinë në fazën tjetër.