Zhvillohet eventi lançues për projektin #DynaMob 2.0

 

Eventi lançues i projektit #DynaMob 2.0 u zhvillua gjatë periudhës 18-20 Shtator 2018, në hotel Tirana Internacional në kuadër të Festivalit të Inovacionit, i cili u organizua nga DHTIT. Vendi i lançimit të projektit ishte hapësira e dedikuar për projektet e DHTIT në hotel Tirana Internacional.

Eventi u drejtua nga znj. Elida Boshnjaku, koordinatore e projektit #DynaMob 2.0 . Gjatë lançimit të projektit, u përdorën materiale promovuese dhe u mbajtën takime të drejtpërdrejta. Stenda u vizitua nga pjesëmarrës në Festivalin e Inovacionit, përfaqësues nga organet qeveritare, kompani të ndryshme që operojnë në Shqipëri, Universitetet, OJQ-të, media etj.

Eventi lançues ishte një mundësi e mirë për të prezantuar dhe ndërgjegjësuar për projektin, për të identifikuar midis vizitorëve aktorët që impaktohen nga projekti.

Çfarë synon projekti #DynaMob 2.0?

Projekti #DynaMob 2.0 mbështetet nga Programi Interreg IPA CBC Itali-Shqipëri-Mali i Zi i financuar nga fondi IPA II.

#DynaMob 2.0 është shkurtimi për “Dynamic MOBILITization 2.0”, një projekt 2 vjeçar duke synuar zhvillimin e një sistemi të përzier për lëvizshmërinë ndërkufitare (MBS) i cili përfaqëson një model që integron në mënyrë efikase, realiste dhe në mënyrë të qëndrueshme zgjidhjet e zgjuara dhe të gjelbra të transportit dhe ndryshon sjelljet dhe qëndrimet e turistëve kundrejt transportit dhe zgjidhjeve për udhëtim.

Vendi ynë përballet me sfida të mëdha për lëvizshmërinë e qëndrueshme. MBS do të lehtësojë transportin efikas dhe të përballueshëm multi-modal. Ai do të kontribuojë për lëvizje dinamike dhe të pastër duke u ofruar përdoruesve një aplikacion me qasje dinamike, dhe vizualizim në kohë reale. Përdoruesit do të kenë qasje  informacioni për çmimet, kurs, rezervim dhe pagesë përmes platformës.

Lëvizshmëria dinamike do t’i japë zgjidhje efikasitetit, ndotjes së ajrit të cilat sot përbëjnë çështje serioze në vendin tonë. Përdoruesit do të përfitojnë përsa i përket kohës, parasë dhe përmirësimit të cilësisë së jetës. Projekti do të bashkojë elektrifizimin, automatizimin, udhëtimin aktiv dhe shkëmbimin e biçikletave dhe makinat eko.

Rrugët ndërkufitare #DynaMob 2.0 do të identifikohen me qëllim përmirësimin dhe promovimin e shkëmbimit të biçikletave dhe shërbimin e makinave ekologjike për qytetarët. Këto rrugë do të ngarkohen në aplikacionin Dyn-APP dhe do të paraqiten dhe në hartë. Gjithashtu koleksioni i fotografive prodhuar nga përdoruesit do të hidhet në rrjetet sociale.

 Rezultatet e eventit lançues

Më shumë se 35 persona që vizituan stendën shfaqën interes për projektin #DynaMob 2.0 projektit. Ata ishin përfaqësues nga sektorë të ndryshëm ekonomik, OJQ, autoritetet publike, agjencitë sektoriale etj. Gjatë këtij eventi tre-ditor u shkëmbyen eksperienca dhe ide. Çështjet kryesore të prezantuara nga vizitorët e interesuar ishin nevoja për përmirësimin e transportit, infrastrukturës rrugore, cilësisë së ajrit për të mundësuar udhëtime të përshtatshme.

Në përputhje me atë që është identifikuar deri më tani nga projekti, si dhe gjatë eventit gjithashtu u evidentua se ekziston një nevojë e fortë për t’iu qasur lëvizjes së zgjuar dhe dinamike.